Tensionet në Theth, sipërmarrësi: Nuk e lëshoj tokën pa gjak – do ndërtoj sërish
Prej orëve të para të mëngjesit, ka vijuar operacioni i IKMT-së për shembjen e objekteve pa leje në të gjithë zonën e Thethit.
Lidhur me këtë, ka folur në Euronews Albania një nga banorët e Thethit, njëkohësisht sipërmarrës në zonë.
Banori shpreh shqetësimin duke nisur që nga fakti se çdo gjë është ndërtuar me mund dhe me djersë, dhe deri tek numri mjaft i lartë i turistëve që si rrjedhojë, banorët kanë pësuar mjaft humbje me largimin e tyre.
Bujtinën e kam bërë me djersën time dhe e ka prishur Edi Rama. Do ta rindërtoj prap dhe s’do ta lëshojmë. Do largojmë edhe ata që nuk janë banorë të Thethit. Të tjerët vetëm do vinë për rezervim javor. Toka është e Thethit, nuk e lëshojmë pa gjak”, tha sipërmarrësi në Theth, për euronews.al, transmeton Periskopi.
Më tej, ai ndalet në një tjetër detaj që tregon se edhe vetë bashkia Shkodër ka lejuar të ndodhë diçka e tillë për një qëllim.
“Këto bujtina i kemi ndërtuar që në vitin 1997. Nga ana tjetër edhe bashkia Shkodër i ka lënë lirshëm njerëzit që të ndërtojnë, dhe banorët janë nxituar. Kjo është bërë me qëllim t’u marrin qytetarëve votat e pas tyre, t’ua shembin bizneset.
Ne s’kemi vrarë askënd. As kohë nuk na kanë lënë, vetëm një orë dhe me fadromë nga mbrapa”, tha banori./Periskopi



