45 dështime të njëpasnjëshme, Kuvendi nesër vazhdon përpjekjen e radhës për konstituim
Nesër nga ora 11:00 do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Kjo është hera e 46-të që deputetët e zgjedhur mblidhen për ta konstituar përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt.
Në seancën e kaluar kryesuesi i seancës, Avni Dehari, sërish kishte hedhur në votim formimin e Komisionit për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri, por në votim s’morën pjesë partitë që ishin në opozitë legjislaturën e kaluar. Në sallë të pranishëm ishin 93 deputetë, 49 votuan për, asnjë kundër, asnjë abstenim, raporton Periskopi.
Ndërsa, disa deputetë të LDK-së, PDK-së, e AAK-së kishin vazhduar të qëndrojnë në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Ata kishin arritur që të ndezin mikrofonat brenda sallës së seancës së Kuvendit, meqë kryesuesi i seancës, Avni Dehari, s’lejon debat në Kuvend.
Kujtojmë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ua kufizon kohën deputetëve për ta përmbyllur procesin e konstituimit deri më 26 korrik./Periskopi/



