Edhe deputet edhe kryeministër – E pritshme dhe aspak e çuditshme Albin Kurti në stilin e tij vazhdon sulmet ndaj Gjykatës Supreme
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme, e cila ka shfuqizuar Udhëzimin Administrativ nr. 01/2025 që lidhet me përdorimin e pajisjeve dhe softuerëve fiskalë elektronikë. Sipas Qeverisë, arsyetimi i Gjykatës se akti është miratuar nga një qeveri dhe ministër në detyrë pa kompetenca ligjore është i pabazuar dhe përbën interpretim të njëanshëm shkruan Periskopi.
Në reagimin zyrtar thuhet se Ligji për Qeverinë nuk ndalon qeverinë në detyrë të nxjerrë akte nënligjore dhe se kufizimet lidhen vetëm me çështje madhore si marrëveshje ndërkombëtare apo projektligje të reja. Për më tepër, Qeveria thekson se procedura për hartimin e këtij Udhëzimi kishte filluar në nëntor 2024, kohë kur Qeveria kishte mandat të plotë.
“Vendimi i Gjykatës Supreme është i brishtë edhe në aspektin logjik dhe kushtetues, për faktin se vetë ai e njeh ekzistencën dhe funksionimin e Qeverisë në detyrë, por njëkohësisht e mohon të drejtën e saj për të ushtruar një kompetencë që nuk është e ndaluar me ligj” thuhet në deklaratë.
Qeveria po ashtu ka rikujtuar se sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar si organ funksional, prandaj nuk ekziston konflikt funksional ndërmjet pozitës së ministrit në detyrë dhe atij të deputetit.
Postimi i plotë:
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin e saj ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme të Kosovës, me të cilin është shfuqizuar një Udhëzim Administrativ, NR. 01/2025 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë me arsyetimin se ky akt është miratuar nga një qeveri në detyrë dhe nga një ministër në detyrë, të cilëve gjoja u mungon kompetenca për të nxjerrë akte nënligjore.
Ky arsyetim është i pabazuar në ligj dhe përbën interpretim të njëanshëm e arbitrar të dispozitave ligjore. Konkretisht, neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk përmban asnjë ndalesë lidhur me nxjerrjen e akteve nënligjore nga një qeveri në detyrë apo ministrat në detyrë. Ky nen kufizon veprimtarinë e qeverisë në detyrë vetëm në çështje madhore, si: marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim në Kuvend, amendamente kushtetuese, projektligje të reja, strategji dhe koncept-dokumente – por jo në nxjerrjen e akteve zbatuese, siç është Udhëzimi Administrativ në fjalë.
Për më tepër, procedura për hartimin e këtij Udhëzimi kishte nisur më 20 nëntor 2024, në kohën kur Qeveria gëzonte mandat të plotë kushtetues dhe ligjor, gjë që i jep këtij akti nënligjor legjitimitet të plotë proceduror dhe substancial.
Vendimi i Gjykatës Supreme është i brishtë edhe në aspektin logjik dhe kushtetues, për faktin se vetë ai e njeh ekzistencën dhe funksionimin e Qeverisë në detyrë, por njëkohësisht e mohon të drejtën e saj për të ushtruar një kompetencë që nuk është e ndaluar me ligj. Kjo përbën një kontradiktë të qartë në arsyetimin e dhënë dhe cenon parimin e sigurisë juridike dhe funksionimit të vazhdueshëm të institucioneve të ekzekutivit.
Sa i përket pretendimit për konflikt të mundshëm funksional ndërmjet funksionit të ministrit në detyrë dhe atij të deputetit, rikujtojmë se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në Aktgjykimin KO124/25, në dispozitiv por edhe në paragrafin 93 ka sqaruar se “…. Si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve, Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet dhe për rrjedhojë i njëjti nuk është funksionalizuar si organ përfaqësues me autorizime ligjvënëse, vendimmarrëse dhe mbikëqyrëse të përcaktuara me Kushtetutë.” Ky Aktgjykim ka konstatuar qartë se Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar, për shkak se Seanca Konstituive nuk mund të konsiderohet e përfunduar pa zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë konflikt funksional mes pozitave të ministrit në detyrë dhe të deputetit, përderisa përbërja e re parlamentare nuk ka hyrë ende në funksion kushtetues.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të rendit kushtetues dhe ligjor, si dhe ndaj funksionimit të pandërprerë të institucioneve të shtetit. Vendimet e institucioneve të drejtësisë duhet të respektojnë frymën e ligjit dhe të jenë të mbështetura në standarde të qarta juridike, e jo në interpretime të njëanshme apo të motivuara politikisht.
Ndaj këtij vendimi do të shfrytëzohen mjetet juridike në dispozicion për të kthyer ligjshmërinë dhe standardet demokratike.
E pritshme prej Hekuran Muratit – Sulmon Supremen pasi ia rrëzoi vendimin për arkat



