Sekretari i Mbrojtjes britanike: Nuk e dimë nëse ka viktima pas rrjedhjes së informacionit të afganëve
Sekretari i mbrojtjes britanike John Healey ka pranuar se ishte “i paaftë të thoshte me siguri” nëse dikush ishte vrarë, si pasojë e rrjedhjes së të dhënave që zbuluan detajet e mijëra afganëve që kishin mbështetur forcat britanike.
John Healey i tha BBC-së se është “shumë e pamundur” që të qenit në listë tani do të rriste rrezikun që ata të jenë objektiv i talibanëve.
Detajet e pothuajse 19 mijë personave që kishin aplikuar për t’u zhvendosur në Mbretërinë e Bashkuar pasi talibanët morën pushtetin në Afganistan rrodhën gabimisht në shkurt 2022 nga një zyrtar britanik. Qeveria e mëparshme mësoi për këtë në gusht 2023 kur detajet u publikuan në Facebook.
Kryeministri britanik Keir Starmer tha se konservatorët kanë “pyetje serioze për t’iu përgjigjur” për këtë rrjedhje informacioni. Po ashtu ai shtoi sipas BBC-së se kryetari i komitetit të mbrojtjes ka “treguar se ka ndërmend të bëjë hetime të mëtejshme”.
“E mirëpres këtë dhe shpresoj që ata që ishin në detyrë në atë kohë do të mirëpresin këtë kontroll,” shtoi kryeministri.
Nga ana tjetër, edhe kryetari i Dhomës së Komunave Lindsay Hoyle tha se kjo çështje ngre “probleme të rëndësishme kushtetuese”. Ai tha se ka “kërkuar nga sekretarët të shqyrtojnë nëse ka ndonjë mësim që duhet nxjerrë nga ky rast”.
“Nëse po, do t’i raportoj Dhomës në kohën e duhur,” shtoi ai.
Të martën u hoq një super-urdhër që ndalonte raportimin për rrjedhjen e të dhënave.
Një skemë rivendosjeje për ata që u prekën nga kjo rrjedhje, ka sjellë deri tani 4 mijë e 500 afganë në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo ka kushtuar 400 milionë paund, me një kosto të parashikuar përfundimtare rreth 850 milionë paund. Për këtë skemë, e cila tani është mbyllur, pritet që gjithsej 6 mijë e 900 persona të vijnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Ministria e Mbrojtjes beson se 600 ushtarë afganë të përfshirë në rrjedhje, dhe 1 mijë e 800 anëtarë të familjeve të tyre, janë ende në Afganistan. Por ekzistenca e këtyre zhvendosjeve dhe vetë rrjedhja janë mbajtur sekret deri të martën, kur u hoq super-urdhri që ndalonte raportimin e kësaj historie nga Gjykata e Lartë.
Healey i tha BBC-së se heqja e super-urdhrit tani do të lejojë “raportim dhe kontroll të duhur nga media”. “Nuk mund të ketë demokraci me super-urdhëra në fuqi,” tha ai.
Ben Wallace, i cili ka qenë sekretar i mbrojtjes për qeverinë konservatore, tha se ishte kërkuar një urdhër katër-mujor pasi u vu në dijeni për rrjedhjen, që një gjykatës e konvertoi në super-urdhër. Ai i tha programit Today në BBC Radio 4 se prioriteti i tij kishte qenë “mbrojtja e atyre njerëzve që mund të ishin ekspozuar”.
Të martën, gjykatësi Chamberlain vendosi të heqë super-urdhrin, duke thënë se talibanët “me gjasë tashmë e posedojnë informacionin kryesor në databazat e tyre” dhe konfirmimi i ekzistencës së tij nuk do të “rriste në mënyrë të konsiderueshme” rrezikun për të prekurit.
Gjithashtu u njoftua se një email u ishte dërguar atyre që iu ishin ekspozuar të dhënat, duke i këshilluar të “jenë të kujdesshëm” dhe të ndërmarrin hapa si mbrojtja e aktiviteteve online dhe mos t’u përgjigjen mesazheve që u dërgojnë kontakte të panjohura./Periskopi/



