Paralajmëron Hasani: Kurti ka uzurpuar postet në ekzekutiv, pas vendimit të Supremes mund të ketë pasoja penale
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrat e tij, të cilët janë certifikuar edhe si deputetë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, po qëndrojnë në mënyrë të kundërligjshme në pozitat ekzekutive. Kështu ka deklaruar profesori i së Drejtës Ndërkombëtare dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, për Kosovapress.
Sipas Hasanit, kjo situatë është e qartë dhe konfirmohet nga aktgjykimi i Gjykatës Supreme, të cilin ai e cilëson si profesional dhe të detyrueshëm për zbatim, pasi nuk mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese nga një qeveri në detyrë.
Gjykata Supreme, më 15 korrik, vendosi se nxjerrja e akteve nënligjore nga ministrat që njëkohësisht janë deputetë është në kundërshtim me Kushtetutën, duke theksuar se një gjë e tillë përbën shkelje të dispozitave kushtetuese.
Hasani thekson se çdo mosrespektim i këtij vendimi mund të përbëjë vepër penale nga ana e ministrave në detyrë, të cilët tashmë janë certifikuar si deputetë.
“Supremja nuk e ka interpretuar Kushtetutën, por vetëm e ka zbatuar atë, ashtu siç e detyron Kushtetuta,” – ka thënë Hasani.
Në anën tjetër, qeveria në detyrë ka kundërshtuar vendimin e Supremes, duke e konsideruar atë si të njëanshëm dhe arbitrar. Ata kanë paralajmëruar edhe dërgimin e këtij aktgjykimi në Gjykatën Kushtetuese.
Megjithatë, profesori Hasani thekson se një veprim i tillë nuk është i mundshëm nga ana e ekzekutivit në detyrë.
Sipas tij, vendimi i Supremes është përfundimtar dhe duhet të zbatohet pa përjashtim.
Ai ka shprehur shqetësimin e tij nëse ministrat në detyrë do të respektojnë vendimin e Gjykatës Supreme, por paralajmëron se çdo moszbatim i tij mund të sjellë pasoja penale. Sipas Hasanit, në këtë rast, Prokuroria duhet të veprojë me vigjilencë./Periskopi/



