Situata me zjarret në Kosovë, zjarrfikësit apelojnë për kujdes
Në mesin e shumë vendeve që po përballen me vatra të shumta të zjarrit, bën pjesë edhe Kosova.
Lidhur me këtë çështje kanë folur vetë zjarrfikësit të cilët kanë pasur edhe një apel për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Komandanti i zjarrfikësve në Ferizaj, Zymri Krasniqi tha në “Ora 7” të Klan Kosovës, se vetëm gjatë këtij muaj në këtë qytet, ka pasur 200 zjarre, 90 për qind prej tyre fushore dhe malore.
“Gjendja në Ferizaj është e qetë, kemi vatra diku, por kemi masat që të ruajmë jetën e njerëzve dhe gjërave të tjera. Për fat të mirë, kemi arritur t’i mobilizojmë. Apelet tona janë që qytetarët të kenë kujdes, dhe në momentin që vërejnë edhe një tym të vogël të raportojnë sa më shpejt në mënyrë që të mos ketë pasoja të mëdha”.
Ndërkaq komandanti i dikurshëm i zjarrfikësve në Prishtinë, Latif Zeka tha se këto zjarre po shkaktohen në të shumtën e rasteve, nga pakujdesia e qytetarëve.
“Edhe përpara ka pasur zjarre fushore dhe malore, varet nga temperaturat. Këto zjarre nuk mund t’i quaj të qëllimshme por pakujdesi e qytetarëve. Tash mund të ndodhë edhe zjarre vetë të ndezura, sepse gjërat që krijohen në një temperaturë të lartë, ato bëjnë edhe zjarrin. Zjarre ka, sipas informatave që kam prej ish kolegëve dhe kolegëve, kanë mbërritur deri 1600 intervenime, fushore e malore, banesa intervenime të llojllojshme. Nxehtësi e madhe. Jemi të pakujdesshëm”, u shpreh Zeka./Periskopi/



