Greqia mund t’ia bllokojë Turqisë qasjen në skemën e BE-së për mbrojtje
Greqia e ka paralajmëruar Turqinë se mund t’ia bllokojë qasjen në një fond të Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes, nëse Ankaraja nuk ofron garanci se armët nuk do të përdoren për ta shënjestruar Athinën.
Greqia, vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe Turqia fqinje kanë marrëdhënie të tensionuara me dekada lidhur me të drejtat e sovranitetit në Detin Egje, dhe së fundmi edhe për shkak të çështjeve të energjisë dhe migrimit.
Turqia, vend anëtar i NATO-s, por jo edhe i bllokut evropian, e gëzon mundësinë që të ketë qasje në programet e BE-së për industrinë e mbrojtjes dhe në programet e përbashkëta për prokurim, në kuadër të Iniciativës së BE-së për Veprim në Siguri, në vlerë të 150 miliardë eurove.
Mirëpo, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka thënë se shteti i tij nuk do ta lejojë Turqinë të marrë pjesë në skemën e mbrojtjes, nëse vazhdon të kërcënojë me luftë kundër Greqisë dhe ia vë në pikëpyetje sovranitetin në Detin Egje, Radio Evropa e Lirë, transmeton Periskopi.
“Greqia nuk do ta lejojë këtë”, ka thënë lideri konservator për televizionin Skai.
Turqia kërcënon shpesh me luftë, në rast se Greqia i zgjeron njëanshëm veprimet në ujërat e Egjeut.
Mitsotakis e ka përmendur se do të duhet pajtueshmëria e 27 vendeve anëtare të BE-së, para se Turqia të ketë qasje në fondet e bllokut.
“Kërkohet unanimitet”, ka deklaruar ai.
Komentet e tij kanë ardhur disa orë pasi Gjermania ka thënë se e ka miratuar dërgimin e aeroplanëve Eurofighter në Turqi.
Turqia është në bisedime me vite për blerjen e 40 aeroplanëve të tillë, të cilët prodhohen përmes një bashkëpunimi mes Gjermanisë, Britanisë, Italisë dhe Spanjës. /Periskopi/



