Dënohet me 5 vjet e 6 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë i akuzuari për trafikim me njerëz
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për trafikim me njerëz Dodë Rica, duke e dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë.
Aktgjykimi ndaj Ricës u shpall të enjten nga gjykatësi Gent Beka, raporton “Betimi për Drejtësi“, trasnemton Periskopi.
Gjykatësi tha se të akuzuarit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa i vazhdohet paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.
Për shpenzimet gjyqësore, i akuzuari obligohet që të paguajë paushallin gjyqësor prej 200 euro dhe për fondin për kompensimin e viktimave shumën prej 50 euro.
Në këtë rast, e akuzuar është edhe Ana Gjoshi, por gjykata ka veçuar procedurën penale ndaj saj, pasi që e njëjta gjendet në arrati.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 19 shkurt 2025, Dodë Rica dhe Ana Gjoshi akuzohen se nga fillimi i muajit prill 2024 e në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit pasuror, përmes rekrutimit, transferimit, strehimit dhe shfrytëzimit të viktimave, duke përdorur mashtrim, kërcënime, forcë, falsifikim dhe keqpërdorim të pushtetit për të arritur kontrollin dhe për të shfrytëzuar viktimat në mënyra të ndryshme, përfshirë edhe shfrytëzimin seksual janë marrë me trafikimin me njerëz.
Në aktakuzë thuhet se duke shfrytëzuar një lokal, i pandehuri Dodë Rica si pronar i biznesit ndërsa e pandehura Ana Gjoshi si menaxhere, duke bashkëvepruar me njëri-tjertrin, e pandehura Gjoshi fillimisht siguron kontaktin ndërmjet rrjeteve sociale me pesë viktimat gra, të cilat janë nga shtete të ndryshme, e më pas i akuzuari Rica si pronar i klubit u dërgon ftesa viktimave për punë, për pushime në Shqipëri.
Pastaj, aktakuza thotë se të akuzuarit kujdesen për organizimin e biletave të udhëtimit, transportit me taksi dhe autobusë, duke i mashtruar viktimat dhe duke i dërguar në Prishtinë, në një klub, me ç’rast e pandehura Gjoshi duke i manipuluar, ua merr pasaportat viktimave dhe i dërgon në ambient në të cilin vendosin kamera për monitorimin e vazhdueshëm të viktimave me qëllim të kontrollit të tyre dhe kufizimit të lirisë së lëvizjes dhe përcaktimit të orarit se kur do të dalin nga shtëpia.
Sipas aktakuzës, me anë të këtyre masave të akuzuarit në bashkëveprim i kanë manipuluar dhe shfrytëzuar viktimat, duke i detyruar të zhvishen pa dëshirën e tyre dhe duke i detyruar të shkojnë tek klientët në dhomat VIP dhe të kryejnë marrëdhënie seksuale.
Me çka, në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Trafikim me njerëz” nga neni 165, par.1 lidhur me nenin 31 dhe nenin 77 të Kodit Penal.



