Stërvitja e habitshme: Specialët serbë në Kinë, “kundër” Kosovës
Për dhjetë ditë, një njësi për Operacione Speciale në ushtrinë e Serbisë, dhe njëra prej brigadave speciale në ushtrinë kineze, u bashkë-stërviten në provincën Hebei të Kinës.
Për këtë ushtrim, që sipas qeverisë serbe zgjati nga 19 deri më 28 korrik, aktiviteti i tillë i ka dhënë shtysë forcimit ushtarak dhe ka përmirësuar aftësinë e ndërsjellë të ekipeve luftarake për të kryer detyra me forcat e armatosura të huaja dhe në mjedis ndërkombëtar, raporton Klan Kosova.
Në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, thonë se për Republikën e Kosovës dhe gjithë rajonin, kjo përgatitje ushtarake Pekin-Beograd, sjellë pasiguri.
Përkundër vërejtjeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, ku Serbia e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim, Beogradi ka vazhduar trashjen e raporteve ekonomike, politike e ushtarake me Kinën.
Shteti që ndan më shumë se 360 kilometra vijë kufitare me Republikën e Kosovës, është i pari në kontinentin evropian që bleu sisteme për mbrojtje ajrore FK3, që janë prodhim special i Republikës Popullore të Kinës.
Kina, njëra nga pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nuk e pranon Kosovën shtet të pavarur e sovran.
Pekini ka zyrë ndërlidhëse në Prishtinë tash e sa vjet, përderisa gjatë vizitës që e bëri në Beograd, në muajin maj të vitit 2024, presidenti kinez, Xi Jin Ping, tha se qasja kineze ndaj shtetit që shpalli mëvetësinë më 17 shkurt 2008, nuk do të ndryshojë./Periskopi/



