Rumunët nervozohen: Nëse na mposhtë edhe Drita, le ta lëmë futbollin

Rumunët nervozohen: Nëse na mposhtë edhe Drita, le ta lëmë futbollin

Është pritur shumë rëndë në Rumani eliminimi i kampionit të këtij vendi, FSCB, nga Shkëndija e Tetovës. Skuadra shqiptare avancoi në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve duke e mposhtur dy herë ekipin e madh rumun. Në Shkup javën e kaluar, Shkëndija fitoi 1:0. Ndërkohë suksesin historik e kompletoi të mërkurën në “Arena Nationala” në Bukuresht në praninë e 32 mijë shikuesve, ku fitoi 2:1.

FCSB tani do të luajë me kampionen e Kosovës, Dritën, në raundin e tretë të kualifikimeve për Ligën e Evropës. Ndeshja e parë është menjëherë javën e ardhshme në Bukuresht.

Pronari i klubit FSCB, Gigi Becali, ka fyer si Dritën ashtu edhe Shkëndijën. Në intervistat për mediat rumune, Becali ka thënë se as Drita e as Shkëndija nuk janë rivale të denja për kampionin rumun.

“Do të shohim çka do të bëjmë në Evropë dhe më pas do të shohim vitin tjetër. Ne luajmë futboll. Dhe këtë vit do të isha i lumtur nëse kualifikohemi për Ligën e Evropës. Dhe do të jem i lumtur. Nëse Kosova na eliminon, atëherë ne duhet të largohemi nga futbolli. Kështu duhet të jetë. Nuk mendoj se ka ekip më të dobët se ky, nuk është asnjë më i dobët”, ka thënë Becali për DigiSport.

Drita është zhvendosur në Ligën e Evropës pas eliminimit nga Copenhageni në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Por në Champions vazhdon Shkëndija. Kampioni rumun llogaritej favorit ndaj Shkëndijës, por tetovarët me dy fitore siguruan kualifikimin historik. Për herë të parë Shkëndija do të jetë në fazën e ligës, që ka zëvendësuar fazën grupore të ndonjërës prej garave evropiane.

Becali ka thënë se eliminimi i FSCB-së nga Shkëndija e Tetovës është turpërimi më i madh në histori të futbollit rumun.

Shkëndijën e ka vlerësuar ekip të Divizionit C, ndonëse e eliminoi skuadrën e tij.

“Turp, turp i madh. Uau, të mposhtesh dy herë në Kupën Evropiane nga një ekip i Divizionit C. Të mposhtesh një herë mund të jetë aksident, por dy herë? Është turpi më i madh i futbollit rumun deri më tani. Asnjëherë nuk ka qenë kështu. Çfarë Karagandy? Ata janë nga Divizioni C. Jemi mposhtur nga një ekip i Divizionit C. Është turpi më i madh i futbollit rumun ndonjëherë. Pasi ky ekip, kjo Shkëndijë, është shumë e dobët. Asnjëherë nuk ka qenë ekip më i dobët. Jam në futboll 25 vjet dhe asnjëherë nuk kam parë diçka të tillë më parë”, ka thënë Becali.

Ai ka kritikuar lojtarët, ndërsa i doli në mbrojtje trajnerit të skuadrës. Becali ka thënë se nuk u beson më lojtarëve.

Pritet rivalitet i madh në ndeshjet e Dritës me FSCB-në. E kaluara e përballjeve të Kosovës me Rumaninë është shumë e trazuar. Kosova dhe shqiptarët janë fyer nga rumunët, sidomos në ndeshjet në Bukuresht. Ndonëse situata ndryshon në nivel klubesh, rivaliteti pritet të jetë i madh./Periskopi/

Shpërndaje në: