Hamasi ngul këmbë: Pa shtet të pavarur, nuk heqim dorë nga armët
Situata në Rripin e Gazës vazhdon të mbetet e tensionuar, teksa Hamasi ka riafirmuar se nuk do të çarmatoset përderisa nuk krijohet një shtet palestinez i pavarur me Jerusalemin si kryeqytet.
Në një deklaratë publike, grupi ka refuzuar një nga kërkesat kryesore të Izraelit për t’i dhënë fund luftës, duke thënë se nuk do të heqin dorë nga “e drejta për rezistencë të armatosur” pa shtetësi të plotë dhe sovrane për palestinezët.
Paralelisht me këtë qëndrim, Hamasi ka publikuar një video të dytë të pengut izraelit Evyatar David – brenda vetëm dy ditësh. Në pamjet e publikuara të shtunën, David shfaqet dukshëm i dobësuar, teksa hap një gropë, të cilën, sipas fjalëve të tij në video, e ka përgatitur si varrin e vet.
Negociatat indirekte mes Hamasit dhe Izraelit – të mbështetura nga ndërmjetës ndërkombëtarë – për një armëpushim 60-ditor dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve, janë ndërprerë javën e kaluar, duke përfunduar pa rezultat.
Sipas të dhënave izraelite, nga 251 pengjet e rrëmbyer gjatë sulmit të Hamasit, 49 ende mbahen në Gaza – përfshirë 27 që mendohet të jenë të vdekur./Periskopi/



