Me Shukri Bujën për Lipjan, PDK shkeli parimin e saj që të mos kandidojë persona në telashe me drejtësinë

Me Shukri Bujën për Lipjan, PDK shkeli parimin e saj që të mos kandidojë persona në telashe me drejtësinë

“Në listën tonë jo që nuk ka njerëz me aktakuzë e me problem me ligjit, bile as me përfolje. Të njëjtin shembull e kemi treguar edhe në komunat në Kosovë. Kryetaret e komunave të partisë sonë, edhe në mandatin e kaluar edhe në këtë mandat, janë shembull, janë pa vërejtje, janë pa akuza dhe pa asnjë përfolje në raport më drejtësinë.”

Me një krenari që nuk e fshihte, kështu deklaronte në janar të këtij viti një zyrtar i lartë i PDK’së në një debat elektoral.

Prej kur këtë kriter e kishte vendosur Kadri Veseli, ish-kryetar i PDK’së, kjo parti për disa zgjedhje radhazi këtë premtim edhe e kishte mbajtur.

Hiç më larg se në zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti këtij kriteri PDK iu kishte përmbajtur  me rreptësi.

Madje, edhe dikur figura të fuqishme të këtij subjekti nuk ishin lënë të kandidonin për deputetë të Kuvendit të Kosovës për shkak të telasheve me drejtësinë. I tillë ishte p.sh. rasti i Adem Grabovcit, që nuk iu mundësua të jetë në listë për deputetë edhe pse gjykata e kishte shpallur të pafajshëm.

Por, ky kriter është braktisur në këto zgjedhje lokale.

Se paku në një rast. Mes kandidatëve për kryetar komunash, PDK ia ka besuar kandidaturën për të parin e Lipjanit, Shukri Bujes.

Karriera politike e Bujës ka qenë e përcjellë me shumë procese gjyqësore ku Buja ka qenë protagonisti kryesor. Madje disa herë, gjykatat e kishin shpall fajtorë për çfarë edhe ishte

dënuar me gjoba dhe burg, dhe qe nuk dihet si kishin përfunduar në instancat tjera të drejtsisë.

Buja, në vitin 2007 kishte garuar për kryetar të Komunës dhe i kishte fituar zgjedhjet, dhe udhëhoqi Komunën e Lipjanit deri në vitin 2013, kur humbi përballë rivalit Imri Ahmeti të LDK’së

Herën e parë, Buja gjatë detyrës së tij si kryetar i Komunës së Lipjanit nuk e kishte raportuar pasurinë e tij brenda afatit ligjor. Prandaj, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë me 4 dhjetor 2014 dhe Buja ishte dënuar në dhjetor të vitit 2015 me 4 muaj burg me kusht dhe 2 mijë euro gjobë

Ndërsa në shkurt të vitit 2017 Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 10 personave për vepra që lidhen me korrupsionin, në mesin e të cilëve ishte edhe ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, si dhe tetë zyrtarë të komunës dhe një biznesmen.

Për këtë rast, Buja ishte dënuar me dy vjet burgim.

Buja akuzohej për rastin e njohur si “Feronikeli”, bashkë me tetë persona të tjerë, për marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimi. Më 2018 ishte dënuar me tre vjet burgim, por rasti i ishte kthyer në rigjykim.

Buja ishte obliguar që t’ia kompensojë Komunës së Lipjanit rreth 79 mijë euro për dëmin e shkaktuar. Supremja këto vendime i kishte kthyer në zero, dhe nuk dihet se çfarë ishte bëre me tutje me këtë rast.

Në një komunikatë të Prokurorisë Speciale thuhej se veprat të cilat rëndojnë mbi të akuzuarit janë  keqpërdorim i detyrës zyrtare, dhënia e ryshfetit, marrja e ryshfetit si dhe punimet ndërtimore të kundërligjshme.

Ndërkaq, muajin e kaluar të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Shukri Bujën në rigjykimin për rastin “Veteranët”, duke i shqiptuar një dënim prej një viti burgim.

Pas këtij vendimi, Buja ka reaguar duke e cilësuar atë si politik dhe si një tentativë për të penguar rrugëtimin e tij politik.

Vlen të përmendet se Shukri Buja, në vitin 2017, kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të degës së PDK’së në Lipjan. Ndërkaq, në prag të zgjedhjeve lokale edhe e kishte braktisur fare PDK’në duke kaluar në subjektin tjetër politik, NISMA te Fatmir Limajt.

Arsyet e dorëheqjes së tij, Buja i kishte bërë të ditura në një letër pesë faqeshe që asokohe thuhej se i ishte dërguar kryetarit të PDK’së, Kadri Veseli dhe kryesisë së partisë./Periskopi/

Shpërndaje në: