Abdixhiku: LDK-ja nuk shpërblen mediokritetin, u shtroj dorën qytetarëve që nuk ndjehen të përfaqësuar me këtë politikë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se LDK-ja nuk shpërblen mediokritetin, duke komentuar qëndrimet e grupit parlamentar të tij, sot në Kuvend.
Abdixhiku thotë se LDK-ja nuk ka votë për promovuesit vulgarë të urrejtjes, ndarjes dhe propagandës.
“Uroj që votuesit e partisë të parë, të kenë kuptuar se ku ka përfunduar vullneti i tyre. Ne refuzojmë të përfaqësojmë këtë mendësi.
Siç dhe refuzojmë të bëhemi pjesë e cirkut votues për nënkryetarët minoritarë. Kanë marrë drejtimin e Kuvendit drejt theqafjes jokushtetuese. Le t’i japin zgjidhje krizave që i shkaktojnë qëllimisht; përfshirë dhe precedaneve të rrezikshme bllokuese nga Serbia në të ardhmen. Ky s’është drejtimi ynë! Prandaj dhe s’mund e s’duam të jemi pjesë e një skenari të tillë” u shpreh Abdixhiku.
Ai shtoi se e shtron dorën e afrimit me qytetarët që nuk ndjehen të përfaqësuar me këtë politikë./Periskopi/



