Dorëheqjet që tundën temelet e VV’së

Dorëheqjet që tundën temelet e VV’së

Nuk është hera e parë që brenda Lëvizjes Vetëvendosje ka përçarje.

Ishte viti 2018 kur disa largime, e goditën rëndë këtë parti të Albin Kurtit e Dejona Mihalit, përcjell Periskopi.

Visar Ymeri, kryetar asokohe i VV’së – Dardan Sejdiu, Dardan Molliqaj, Aida Dërguti, Driton Çaushi, Salih Salihu, Fisnik Ismajli, Frashër Krasniqi, Faton Topalli, Shqipe Pantina, e Besa Baftiu, ishin vetëm disa prej tyre.

Sipas deklarimeve të tyre, zhvillimet brenda kësaj partie dhe zgjedhjet e brendshme, ndikuan në përçarje të brendshme dhe largim të disa prej figurave kyçe nga ky subjekt politik.

Por, nuk u ndalën me kaq.

Lëvizja Vetëvendosje u sfidua edhe një herë me largime.

Dy vite më parë, brenda kësaj partie u shpërfaq edhe një ndasi e re.

E gjitha filloi për shkak të një projektligji të sponsorizuar nga Qeveria Kurti rreth fertilizimit me asistencë mjekësore.

Visar Korenica e Eman Rrahmani ishin deputetët që braktisën Vetëvendosjen e Kurtit.

Njoftimin për vendimin e tyre e dhanë duke akuzuar se nuk kanë mbështetur propozimet e tyre.

“Kemi vlerësuar se duhet një angazhim më ndryshe për qytetarët…Sot jemi me një koalicion mbipartiak…Është përgjegjësi që t’i prijë kauzës për familjen”, tha Rrahmani.

“Kauza për familje është kauzë mbipartiake, pjesë e këtij projekti do të jenë edhe të tjerë të dëshmuar”, ka thënë Rrahmani.

“Tym i zi” doli nga Lëvizja Vetëvendosje edhe në mëngjesin e së martës.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu njoftoi për dorëheqjen e tij nga ky post.

Ai shpjegoi se dorëheqja e tij vjen pasi dje bashkëpartiaku i tij, Dimal Basha, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Aliu tregoi se e kishte njoftuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për vendimin e tij menjëherë pas zgjedhjes së Bashës të martën.

“Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, tha Aliu në Facebook.

Ndryshe, Aliu ishte njëri nga figurat themeluese të Lëvizjes Vetëvendosje, që mbeti aktiv në parti deri në momentin e largimit të tij nga qeveria.

Megjithatë, ai nuk mori pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 9 shkurt.

Dorëheqja e tij u komentua nga zv.ministri Hysen Durimishi, por jo edhe nga Qeveria e Kosovës.

Durmishi tha se Aliu nuk ishte as deputet e as në kryesi të VV’së.

“Nuk e di, pyetni Liburn Aliun për këtë çështje. Liburn Aliu nuk është deputet. Nuk ka qenë as kandidat për deputet. Nuk është anëtar Kryesie në Vetëvendosje. Do të thotë vendimet në Lëvizjen Vetëvendosje merren në strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje. është mënyra se si funksionon një organizatë politike. Ne mundemi me pas herë pas herë mospajtime për çështje të ndryshme, të cilat diskutohen në Këshill të Përgjithshëm, mandej në Kryesi. Por, kur merren vendimet me shumicë ato janë vendime demokratike të cilat respektohen pavarësisht ndonjë mospajtimi që mund ta ketë dikush”- u përgjigj Durmishi, kur u pyet nga KALLXO.com, se a do të thotë ky vendim i Aliut që është fundi i tij në Vetëvendosje.

Aktualisht kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje është Albin Kurti. Kjo parti është themeluar nga viti 2004.

 

Si erdhi Dimal Basha në karrigen e Kryekuvendarit?

Dimal Basha ka marrë postin e kryeparlamentarit të martën pas gati 5 muajsh bllokadë të Kuvendit.

Ai u zgjodh edhe me votat e Partisë Demokratike të Kosovës e cila pati premtuar se do ta votonte këdo që nuk kishte post ministror në Qeverinë Kurti.

Herë e parë kur u propozua PDK-ja s’e votoi, për çka u kritikua se nuk kishte koherencë në qëndrime.

Në seancën pasuese, kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, tha se do ta votonin, ani pse nuk pajtoheshin me propozimin e tij, duke thënë se Basha nuk është i denjë për këtë pozitë.

Para Bashës, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar ministren e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, që nga 15 prilli. Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e cila tha se një kandidat ka të drejtë të propozohet vetëm tri herë, VV-ja propozoi ministren në detyrë të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministrin e Financave Hekuran Murati dhe ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavci./Periskopi/

Shpërndaje në: