Muriqi me Mallorcan përballë Real Madridit

Muriqi me Mallorcan përballë Real Madridit

Sulmuesit të Kosovës, Vedat Muriqit, i ka përfunduar suspendimi dhe do të jetë i gatshëm për skuadrën e Mallorcas për ndeshjen ndaj Real Madridit.

Muriqi me Mallorcan të shtunën nga ora 21:30 do të jenë mysafirë të Realit. Kjo ndeshje i takon xhiros së tretë në La Liga.

31-vjeçari Muriqi në ndeshjen e xhiros së parë të luajtur ndaj Barcelonës u ndëshkua direkt me karton të kuq.

Ai u suspendua për një ndeshje nga Komisioni Disiplinor i Federatës Spanjolle të Futbollit.

Mallorca ka një humbje dhe një barazim. U mposht nga Barça dhe barazoi me Celta Vigon. Ndërsa klubi mbretëror ka dy fitore. Në ndeshjen hapëse të edicionit të ri fitoi ndaj Osasunas dhe në javën e dytë ndaj Real Oviedos.

Muriqi në edicionin e kaluar kishte shënuar gol ndaj Realit në barazimin 1:1. Ndaj gjigantit spanjoll kishte shënuar edhe në edicionin 2022/23.

Reali ka fituar dhjetë ndeshjet e fundit në shtëpi kundër Mallorcas në të gjitha garat.

“Los Blancos” kanë shënuar 140 gola në 66 ndeshjet në La Liga kundër Mallorcas.

Kampionia e Spanjës, Barcelona, të dielën nga ora 21:30 luan në udhëtim te Rayo Vallecano.

Barça i ka fituar dy ndeshjet e para, ndaj Mallorcas dhe ndaj Levantes.

Skuadra tjetër e madhe spanjolle, Atletico Madrid, të shtunën nga ora 17:00 luan si mysafire ndaj Deportivo Alavesit.

Atletico shpreson që ta shënojë fitoren e parë në edicionin e ri në kampionatin spanjoll. Ka një barazim dhe një humbje. /Periskopi/

Shpërndaje në: