Protesta kundër Speciales: Zëri që ‘pushtoi’ sot Hagën
Me flamuj kuqezi, pankarta dhe thirrje për drejtësi, diaspora dhe qytetarë nga Kosova u bashkuan në një protestë të organizuar nga mërgata shqiptare, me mbështetjen e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK).
Krejt kjo u be kundër Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë – që njihen edhe si Gjykata Speciale.
Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se nga Haga i bën thirrje Evropës që “të mos lejohet që drejtësia të shndërrohet në instrument politik”.
Sipas tij, UÇK-ja nuk luftoi asnjëherë për pushtet, por për liri.
“Drejtësia duhet të jetë e njëjtë”, tha ai, duke shtuar se serbët që kanë kryer krime “gëzojnë lirinë”.
“Drejtësi për çlirimtarët, liri për të drejtën tonë historike”, tha ai.
Ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch, që kishte shërbyer në Kosovë në kohën kur u themelua Specialja, tha se atëbotë ishte udhëzuar nga Qeveria e tij të bënte presion që të themelohej kjo gjykatë.
Bosch u tha protestuesve se nuk i pëlqente kjo ide “sepse më dukej e pakuptimtë që serbët të mos gjykoheshin nga kjo gjykatë, por e bëra punën time”.
“Më kujtohet kur e takova Thaçin, ai ishte i shqetësuar. Por, i thash nuk ke pse të shqetësohet sepse gjykimi është i drejtë ti do të jesh i lirë për shkak të mungesës së provave”, tha Bosch.
Ish-pjesëtari i UÇK-së, njëherësh bashkëorganizatori i protestës, Fatmir Koci, tha se UÇK-ja nuk ishte as agresore e as pushtuese, por tha se sot ish-krerët e UÇK-së po gjykohen “me akuza të pabaza”.
“Nuk do të pranojmë asnjëherë këtë padrejtësi ndaj tyre”, tha ai.
Protesta në Hagë u mbajt një ditë para se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të nisë paraqitjen e provave të saj dhe dëshmitarëve.
Ndryshe, Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, do të nisë dëshminë e tij para Speciales më 15 shtator, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.
Mbrojtja e Thaçit ka deklaruar se 11 dëshmitarët që mëton të thërrasë të japin dëshminë e tyre në seanca të hapura.
Kujtojme, që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, që të katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.
Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave./Periskopi/



