Imri Ahmeti nga Krojmiri: Me përkrahje masive dhe energji të re drejt fitores së madhe
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Lipjanit, Imri Ahmeti, ka vizituar fshatin Krojmir, të cilin e cilësoi si vend të trimave, dëshmorëve dhe martirëve, ku historia dhe sakrifica ndërthuren me krenari e dinjitet.
Ahmeti theksoi se në këtë fshat është duke u ndërtuar Kulla e Veteranëve të UÇK-së, e cila do të shërbejë si monument i lavdisë kombëtare. Krahas kësaj, ai përmendi edhe realizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore që, sipas tij, kanë përmirësuar jetën e banorëve të zonës.
Në takimin me qytetarët e Krojmirit, Ahmeti tha se është ndjerë i mirëpritur dhe ka marrë përkrahje të fuqishme për vizionin e tij politik.
“Dajt na mirëpritën me zemër të hapur dhe me përkrahjen e tyre të fuqishme treguan qartë besimin dhe vendosmërinë për vizionin tonë përpara. Nga Krojmiri, me përkrahje masive dhe energji të re, drejt fitores së madhe!” u shpreh Ahmeti.
Ai theksoi se për Lipjanin nuk mjaftojnë vetëm fjalët, por punët konkrete që do të vazhdojnë edhe në mandatin e ardhshëm./Periskopi/



