Vendimi i Kushtetueses, reagon Lista Serbe

Vendimi i Kushtetueses, reagon Lista Serbe

Lista Serbe, të martën, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk ka përfunduar, pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Sipas tyre, Kushtetuesja ka konstatuar se Lëvizja Vetëvendosje ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën duke tentuar “që edhe një herë t’ia heqë atë që është e përcaktuar si e drejtë kushtetuese e popullit serb brenda Kuvendit”.

“Kjo është një fitore e vogël, por jashtëzakonisht e rëndësishme e popullit serb, krahas shumë vendimeve të tjera të regjimit nga Prishtina, i cili duke shkelur të gjitha rregullat ka shkelur të drejtat kolektive dhe individuale të popullit tonë”, ka pretenduar Lista Serbe.

Meqë Kushtetuesja nuk e ka publikuar ende të plotë vendimin, Lista Serbe tha se në këtë fazë rezervohet për komente shtesë.

“Lista Serbe do të vazhdojë që përmes institucioneve të bëjë gjithçka për mbrojtjen e të drejtave të popullit tonë, duke e justifikuar kështu besimin që na kanë dhënë qytetarët në zgjedhje”./Periskopi/

Shpërndaje në: