Kobra: S’po kërkoj liri por të zbardhet rasti – m’u shkatërrua imazhi e 270 mijë euro investim
Pas dhënies së fjalës përfundimtare nga prokurorja speciale, Habibe Salihu, seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, vazhdoi me fjalën përfundimtare nga i akuzuari Dibran Hoxhaj i njohur si “Koba” dhe katër të akuzuarit Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, bashkë me mbrojtësit e tyre. Para trupit gjykues, “Kobra” tha se kërkon të zbardhet rasti, derisa përmendi se i është shkatërruar imazhi e 270 mijë euro investim.
Të akuzuarit ngarkohen për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nuk po kërkoj liri, nuk po kërkoj falje, nuk po kërkoj tolerim, veç po kërkoj të zbardhet rasti se unë jam i vramë në këtë rast. 270 mijë euro investim m’u kanë shkatërru, imazhi jem u shkatërru, liria më është kufizu. Lus gjykatën që të shef të gjitha deri në pikën më të vogël për zbardhjen e këtij”, tha Kobra.
I akuzuari Dibran Hoxhaj tha se nga punëtorët ka kërkuar që vetë t’iu dërgohet fatura klientëve dhe të mos krijojnë problem. Tha se nuk a ka ditur se kush ka shkaktuar problem në lokal ditën kritke.
Hoxhaj pyeti se si ka mundësi ta ketë njohur veturën e të dëmtuarve dhe të shtie në drejtim të tyre me armë, kur nuk i ka njohur paraprakisht.
Po ashtu, Hoxhaj deklaroi se pretendimet e përfaqësuesit të palës së dëmtuar- avokatit Emrush Kastrati për inskenim, nuk janë të vërteta pasi që nuk është regjisor për të krijuar filma.
Paraprakisht, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Kastrati në fjalën përfundimtare tha se ndaj Hoxhajt, Prokuroria është dashur t’ia shtojë edhe veprën penale të “Vrasjes në tentativë” ndaj O.Sh.
Kastrati tha se reagimi i të akuzuarit Hoxhaj në njërën nga seancat gjyqësore duke kërkuar llogari nga njëri i akuzuar për DVR-in e kamerave, sipas tij, ishte inskenim.
Lidhur me të kaluarën kriminale, avokati Kastrati tha se vetëm i akuzuari Burim Mazreku nuk ka të kaluar kriminale, ndërkaq gjithë të akuzuarit tjerë janë të dënuar për vepra penale.
Sipas avokatit Kastrati, është e çuditshme se si gjykatat, Dibran Hoxhajt i kanë shqiptuar dënime në 19 vendime penale, duke mos pasur parasysh politikën ndëshkimore në ato raste.
Më pas, mbrojtësi i Hoxhajt, avokati Florent Latifaj tha se gjykata vendimin e bazon në provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe se deklaratat e të dëmtuarve dhënë përmes mundësisë së hetuesisë së veçantë, nuk janë të njëjta.
Sipas avokatit Latifaj, një i dëmtuar kishte deklaruar se kishin pirë alkool, e tjetri e mohon si rrethanë.
Po ashtu, avokati Latifaj pyeti se si ka qenë e mundshme që një i lënduar me plumb në këmbë, e tjetri i vdekur, ta kalojnë kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë- si të dëmtuar.
Latifaj gjithashtu tha se nga kamerat që janë siguruar, nuk është vërtetuar me saktësi se vetura e parkuar në lokalin “Kobra City” të ishte e të mbrojturit të tij.
Ai tha se nga ekspertiza balistike është konstatuar madhësia e plumbit 1 me 19, ndërkaq në dispozitiv të aktakuzës thuhet plumbi me madhësi 1 me 21. Andaj, sipas tij, Prokuroria ka pasur për qëllim që të tregojë se Hoxhaj është i dënuar 17 ose 19 herë e jo të flasë për rrethanat e rastit konkret.
Në fund, avokati Latifaj tha se Hoxhaj nuk ka të bëjë me vrasje dhe se gjykata barrën e të provuarit ta kërkojë në dosjen që Prokuroria e ka dorëzuar dhe provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, ku do të gjendet edhe pafajësia e Hoxhajt.
Seanca vazhdoi me fjalën përfundimtare nga mbrojtja e Susurit, avokati Ruhan Salihu, i cili tha se Prokuroria nuk ka prova dhe dëshmitarë që Susuri të ketë manipuluar me prova dhe se i njëjti ndien përgjegjësi vetëm sa i përket rrahjes që ka ndodhur në lokal.
Salihu kërkoi nga Gjykata që të nxjerrë aktgjykim lirues lidhur me armëmbajtje dhe manipulim të provave. Ndërkaq për “Pjesëmarrje në rrahje” të sjellë një dënim duke përllogaritur edhe kohën e kaluar nën masën e paraburgimit.
Vetë i akuzuari Susuri derisa u deklarua tha se si ka mundësi që të ketë futur DVR në xhep, siç ka pretenduar dëshmitarja, duke sqaruar se madhësia e DVR-it është e madhe dhe jo sa e një telefoni.
Po ashtu, ai tha se nëse dënohet për vepra tjera penale- si për armëmbajtje pa leje, kërkon të dijë se cilën armë e ka poseduar dhe çfarë tipi, apo nëse dënohet për manipulim me prova- të specifikohet se me cilat prova, me arsyetimin që sipas tij së paku kur të dënohet ta dijë se për cilat veprime e merr dënimin.
Lidhur me rrahjen, Susuri tha se në lokal të gjithë janë rrahur, përfshirë edhe të dëmtuarit. Tha se edhe vetë ka pasur dëmtime nga rrahja.
Për të akuzuarin Vezaj, avokati Blend Gjini tha se pas administrimit të provave materiale dhe personale, nuk është vërtetuar se Vezaj ka kryer veprat penale për të cilat është akuzuar.
Po ashtu, Gjini tha se i vetmi Vezaj ka pasur kontratë pune me Hoxhajn dhe se ai ka marrë lëndime nga rasti në natën kritike.
Po ashtu, Gjini tha se Vezaj ka qenë personi që ka telefonuar tri herë policinë dhe se një rrethanë e tillë vërtetohet përmes numrit të telefonit të tij. Avokati i propozoi Gjykatës që ndaj Vezajt të nxirret aktgjykim lirues.
Vetë Vezaj tha se e mbështetë avokatin dhe nuk shtoi diçka tjetër.
Tutje, fjalën përfundimtare e dha edhe mbrojtësi i Mazrekajt, avokati Gent Gjini, duke thënë se plumbi që është nxjerrë nga viktima V.C., nuk përkon me milimetrat që Prokuroria pretendon në aktakuzë.
Po ashtu, Gjini tha se me faktin se nuk është gjetur arma që është përdorë, nuk ka mundur që te viktima të përcaktohet madhësia e plumbit. Në fund, avokati Gjini kërkoi aktgjykim lirues ndaj Mazrekajt.
Mazrekaj nuk shtoi asgjë, por e mbështeti avokatin Gjini.
Krejt në fund, fjalën përfundimtare e dha mbrojtësi i Badallajt, avokati Jeton Rekathati, i cili tha se aktakuza e Prokurorisë duhet të plotësojë standardin e dyshimit të bazuar mirë për t’u ngritur dhe se në rastin konkret ky standard nuk është respektuar nga Prokuroria.
Gjithashtu, Rekathati tha se dispozitivi aktakuzës është i paqartë dhe nuk speifikohen saktë veprimet, andaj nga Gjykata kërkoi që ndaj Badallajt të nxirret aktgjykim lirues.
Vetë i akuzuari Badallaj, tha se nuk ka çfarë të shtojë, por e mbështeti avokatin Rekathati./Periskopi/



