“Ndaj Serbisë, më shumë se një ndeshje futbolli”
Përzgjedhësi i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, është i bindur se kuqezinjtë mund ta përballojnë sfidën e vështirë ndaj Serbisë, megjithëse pranon se ndeshja do të jetë shumë e fortë dhe vendimtare për fatin e kualifikimit në play-offin e Kupës së Botës.
Në një intervistë për “TV Klan”, trajneri brazilian foli me seriozitet dhe besim për duelin e 11 tetorit në Leskovc, duke e cilësuar atë si më shumë se një përballje futbolli:
“Kualifikueset e Botërorit nuk janë kurrë të lehta. Letonia ishte e vështirë, edhe pse tani jam më i qetë. Ajo luajti mirë edhe ndaj Serbisë dhe na kërkoi shumë energji. Serbia është gjithashtu një kundërshtare shumë e fortë, por ne kemi lojtarë cilësorë që japin 100 për qind. Pres një ndeshje shumë të bukur në aspektin futbollistik”.
Për Sylvinhon, përgatitja është kyçe. Ai thekson se kjo nuk është një ndeshje si çdo tjetër, por një sfidë me shumë peshë emocionale dhe sportive:
“Tani është momenti për analiza. Ndeshja duhet përgatitur shumë mirë sepse është ndryshe. Nuk është vetëm një ndeshje, ka peshë të madhe për kualifikueset – për ne dhe për ta. Kur nis ndeshja, për 90 minuta, aty nis gjithçka. Do të japim gjithçka në fushë. Kemi edhe 5-6 ditë për t’u përgatitur dhe të shohim përpara”./Periskopi/



