Kërcënoi prokurorin dhe oficerët e policisë gjyqësore në sallë, arrestohet avokati në Elbasan

Kërcënoi prokurorin dhe oficerët e policisë gjyqësore në sallë, arrestohet avokati në Elbasan

Një avokat, është arrestuar pasditen e sotme, 18 tetor, rreth orës 17:20, pasi dyshohet se ka kanosur për shkak të detyrës prokurorin e çështjes së klientit të tij, si dhe oficerët që kanë kryer veprime hetimore.

Në pranga ka rënë shtetasi me iniciale U.B., një avokat i cili nuk ka precedent penal të mëparshëm.

Sipas informacioneve për gazetaren e Klan News, Glidona Daci, e gjithë ngjarja nis nga një ditë më parë, më 17 tetor, në sallën e gjyqit numër 1 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan. Aty po zhvillohej dhe seanca për “Vlefshmërinë e arrestit dhe caktimin e masave të sigurimit”, për shtetasin M.S., alias M.L.

Ka qenë avokati, i cili në salën e gjyqit ka kërcënuar prokurorin e çështjes dhe oficerët e policisë gjyqësore që kanë kryer veprime hetimore lidhur me ngjarjen ku është arrestuar klienti i tij, shtetasi M.S.

“Që të kërkosh caktim të masës së sigurimit duhet që të kesh disa prova e disa të dhëna. Por, një ndër provat tregon se ka pasqyrim të rremë të të dhënave dhe do merrem personalisht me prokurorin dhe me oficerët e policisë gjyqësore”, mësohet të ketë thënë avokati.

Sakaq, avokati dyshohet për veprat penale “Kanosje për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”, “Kanosja e gjyqtarit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme./Periskopi/

Shpërndaje në: