“VV e dëshiron Thaçin përjetësisht në Hagë”, Basha i kapet Edi Ramës: Deklaratë absurde, duhet me u pendu se as vet s’e beson

“VV e dëshiron Thaçin përjetësisht në Hagë”, Basha i kapet Edi Ramës: Deklaratë absurde, duhet me u pendu se as vet s’e beson

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili kishte thënë se “Lëvizja Vetëvendosje e dëshiron Hashim Thaçin përjetësisht në Hagë”.

Basha e cilësoi këtë deklaratë si absurde dhe i kërkoi Ramës që të tërhiqet prej saj, pasi, sipas tij, as vetë Rama nuk e beson atë që ka thënë.

“Jo është deklaratë absurde, ai e ka thënë, mendoj që duhet me u pendu pasi nuk e beson as ai vetë”, tha Basha në një intervistë për RTK, përcjell Periskopi.

I pyetur për raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë, Basha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të sinqertë dhe mbështetjes së ndërsjellë mes dy vendeve, duke shprehur zhgënjimin ndaj disa qëndrimeve të politikës shqiptare, raporton Paparaci.

“Populli shqiptar në të dy anët e kufirit vazhdon me mendu që janë vëllezër e motra. Politika është gabim. Na duhet një Shqipëri që nuk punon për një Ballkan të Hapur pasi që u dëshmu që ishte gabim. Na duhet një Shqipëri që nuk punon për statutin e Asociacionit të serbëve në Kosovë për çka na kujdesemi për ta, është mirë me u kujdes për shqiptarët në Luginë të cilët diskriminohen në baza ditore.

Ta kemi një Shqipëri që nuk është bash e udhës të organizojë kambionate botërore bashkë me Serbinë, marrë parasysh raportet që i kemi. Për një Shqipëri që vazhdon me punu për Kosovën si shtet i pavarur dhe ia delegon mesazhet e Vuçiqit i cili e mban Kosovën në Kushtetutën e saj si pjesë territoriale dhe një Shqipëri që ka platformë të jashtëzakonshme në institucionet e ndryshme ndërkombëtare që vazhdon me na ndihmu për anëtarësimin tonë në ato”.

Kryeministri Edi Rama në prag të protestës në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishte reaguar ashpër ndaj deklaratës së Lëvizjes Vetëvendosje.

LVV thoshte se kryeministri shqiptar duhet të tregojë reflektim për Gjykatën Speciale dhe të ngrejë zërin në organe të larta si Këshilli i Evropës dhe OKB-ja për këtë çështje, e jo të organizojë protesta në Tiranë.

Ndërkaq, Rama në reagimin e tij akuzoi Vetëvendosjen se po shtrembëron qëndrimet e mëparshme për Gjykatën Speciale, duke theksuar se ai vetë ka denoncuar në çdo rast “farsën ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve”, ndërsa, sipas tij, “Vetëvendosja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim”.

“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare shtoi se nuk është në asnjë garë me Vetëvendosjen, por se i vjen keq që ajo “ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale”.

Duke iu referuar qëndrimeve të para dhjetë vjetëve, Rama tha se Vetëvendosja “nuk njihte as himnin e Kosovës, e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë”.

Ai rikujtoi gjithashtu se Gjykata Speciale u ngrit për hetimin e pretendimeve për trafik organesh, dhe jo për të “marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”.

Shpërndaje në: