Xheladini i LDK`së: Kryesia na dha të drejtën autonome të bëjmë koalicion me këdo, edhe me Vetëvendosjen

Xheladini i LDK`së: Kryesia na dha të drejtën autonome të bëjmë koalicion me këdo, edhe me Vetëvendosjen

Kandidati i LDK-së për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini, ka folur pas deklaratës së Filiz Mustafa, ish-kandidat i LVV-së për kryetar të Dragashit e i cili ishte shprehur se LVV ka vendosur që të mos ketë koalicion me LDK-në në Komunën e Dragashit.

Xheladini, ka thënë se në takimin e fundit që ka pasur kryesia e LDK-së në qendër me kandidatët për kryetar të komunave, iu është dhënë e drejta autonome që kandidatët e LDK-së që kanë shkuar në balotazh nëpër komuna, mund të bëjnë koalicion me kë të duan, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje.

‘’Ne si LDK kemi një qëndrim krejt tjetër. Para disa dite kemi pasur një takim me Kryesinë e ku kemi marr leje nga kryesia që kandidatët e LDK-së që kanë shkuar në balotazh, kanë të drejtën në mënyrë autonome të hyjnë në bisedime me secilën parti politike që operojnë nëpër komuna’’, tha ai për Front Online, transmeton Periskopi.

Xheladini, tha se nëse LVV ka marr vendim të mos ketë koalicion me të në Dragash, ai do të flas me anëtarësinë e LVV-së në atë komunë për të kërkuar mbështetje.

’’Por nëse LVV paska marr qëndrim zyrtar që nuk do të ketë koalicion me në Dragash, atëherë mua nuk më mbetët gjë tjetër vetëm që të bëjë koalicion me anëtarësinë e LVV-së në Komunën e Dragashit’’, tha ai.

Ai u shpreh se nuk ka vija të kuqe për askënd e madje as për VV-në.

‘’Ne si LDK dhe ne si LDK nuk kemi vija të kuqe me asnjë parti politike, përfshirë edhe LVV-në dhe nëse gjejmë bashkëpunim, mund të lidhim koalicion edhe me LVV-në por edhe me partitë tjera të komunitetit jo-shumicë’’, deklaroi Xheladini

Shpërndaje në: