Adem Grabovci: Kurti është bllokues i shtetit dhe VV`ja subjekti më i dështuar, këtë e thotë edhe SHBA-ja
Ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, ka komentuar rezultatin zgjedhor të partisë së tij, zhvillimet politike në vend dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja.
Duke folur për situatën politike pas zgjedhjeve parlamentare, ish-deputeti Grabovci tha se asnjë parti nuk ka arritur të dalë fituese absolute.
“Zgjedhjet nacionale kanë dhënë rezultat që asnjë parti nuk ishte fituese. VV ka dalë e para, por nuk e ka fuqinë politike për të ndërtuar institucione dhe kjo dikton futjen në negociata. E negocimi nënkupton edhe kompromis dhe ndarjen e interesave me partitë e tjera për të krijuar fuqinë politike për formim të Qeverisë”, ka deklaruar ai për Front Online, transmeton Periskopi.
Sipas Grabovcit, përgjegjësia për bllokimin e institucioneve bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje dhe liderin e saj, Albin Kurti.
“Këtë e kam parë të pamundur tek Kurti sepse ai nuk ka treguar gatishmëri dhe ka ardhur deri tek kjo bllokadë. Bllokues i shtetit dhe subjekti më i dështuar dhe lideri me përgjegjësinë më të madhe është Kurti. Këtë nuk e thotë vetëm opozita, por edhe SHBA”, ka thënë ai.
Grabovci është shprehur se nuk sheh asnjë mundësi bashkëpunimi me Kurtin.
“Unë nuk shoh ndonjë mundësi të bashkëpunimit me një njeri të papërgjegjshëm, që i ka bërë dëme shtetit dhe i cili i ka prishur raportet me SHBA dhe BE”, ka potencuar ai.
Ai ka theksuar se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja.
“Si zgjidhje i shoh zgjedhjet nacionale dhe uroj që qytetarët të vlerësojnë dhe të vendosin a duan shtet të izoluar apo me perspektivë. Perspektiva jonë sigurohet vetë duke i ruajtur raportet me SHBA”, ka thënë Grabovci.
Grabovci: PDK-ja duhet të bëjë analizë të thellë për rezultatin zgjedhor
Ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci ka vlerësuar se ndonëse PDK nuk ka arritur rezultatin e dëshiruar, performanca e saj nuk ka qenë e dobët.
“Unë vlerësoj se PDK nuk ka performuar dobët, por nuk e ka arritur atë rezultatin e mundshëm dhe të dëshirueshëm. Duhet me e ulë, me bërë analizë të thellë, komunë për komunë, me i evidentu dobësitë që na kanë përcjellur gjatë procesit zgjedhor, me konstatu ka qenë i organizuar gjithë potenciali i brendshëm apo jo e i cili është besoj i shumtë në kuadër të PDK-së”’, ka deklaruar Grabovci.
Sipas tij, partia duhet të ndërmarrë masa konkrete për të përmirësuar rezultatin në të ardhmen.
“Nëse arrijmë me mobilizue potencialin tonë të brendshëm, rezultati do të jetë shumë më i mirë, shumë më i fuqishëm,” ka shtuar ai, duke theksuar se qytetarët duhet të vlerësojnë veprat e kryetarëve të komunave ku PDK ka qeverisur.
Në këtë kontekst, Grabovci ka përmendur kandidatin e PDK-së në Mitrovicë, për të cilin ka mendim pozitiv.
“Në rastin konkret, Arian Tahiri meriton mbështetje sepse është kuadër i ri, me perspektivë, i përgatitur dhe me vlera të larta, dhe jam i bindur në fitoren e tij”, tha ai.



