Ndahet nga jeta analisti dhe publicisti nga Shkupi

Ndahet nga jeta analisti dhe publicisti nga Shkupi

Pas një sëmundjeje të shkurtër, ka ndërruar jetë analisti dhe publicisti i njohur nga Shkupi, Agim Jonuz, një nga zërat më të veçantë të jetës publike në Maqedoninë e Veriut, i njohur për analizat e tij politike, debatet publike dhe qëndrimet e drejtpërdrejta për zhvillimet në vend dhe rajon.

Agim Jonuz ishte figurë e njohur për publikun e gjerë si analist politik, publicist dhe ish-zëdhënës qeverie, i cili shpesh është angazhuar në çështje që lidhen me identitetin, marrëdhëniet ndëretnike dhe proceset integruese të vendit.

Në komentet dhe intervistat e tij, Jonuz ka qenë kritik ndaj politikave përjashtuese dhe ka bërë thirrje për bashkëjetesë, respekt të ndërsjellë dhe një shtet të barabartë për të gjithë qytetarët, shkruan Koha.mk, transmeton Periskopi.

Agim Jonuz lindi dhe u rrit në Shkup, ku e zhvilloi edhe pjesën më të madhe të jetës profesionale. Ai ka qenë për shumë vite i angazhuar në sektorin publik dhe privat, ndërsa ka ushtruar detyrën e zëdhënësit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në periudha të ndryshme, ku është vlerësuar për qasjen profesionale dhe komunikimin e qartë me opinionin publik.

Në sferën e biznesit, ai ishte drejtor ekzekutiv i kompanisë “VIA Group Defence”, me veprimtari në Shkup, Ankara dhe Lindjen e Mesme, ndërsa njëkohësisht ishte këshilltar dhe konsulent në fusha të ndryshme ekonomike dhe të sigurisë.

Si analist politik, Jonuz ishte i pranishëm në shumë debatet televizive dhe forume publike, ku komentonte zhvillimet politike në vend, marrëdhëniet mes komuniteteve etnike dhe rrugën euro-integruese të Maqedonisë së Veriut.

Ai njihej për stilin e tij të drejtpërdrejtë, shpesh provokues, por gjithmonë i motivuar nga dëshira për përmirësim shoqëror dhe institucional.
Në një nga deklaratat e tij të njohura, Jonuz kishte thënë se “jam shqiptar nga Maqedonia, dhe kjo është pasuri, jo ndarje”, duke theksuar rëndësinë e identitetit të dyfishtë dhe tolerancës në një shoqëri multietnike.

Një kohë të gjatë, Agim Jonuz ka qenë kolumnist i rregullt i gazetës KOHA. Me rastin e ndarjes nga jeta, redaksia e gazetës KOHA familjes së të ndjerit i shpreh ngushëllimet më të sinqerta./Periskopi/

Shpërndaje në: