Zhegrova mund të mbetet pa trajner, Juve mund ta shkarkojë Tudorin edhe nëse fitojnë ndaj Udineses
Trajneri Igor Tudor rrezikon seriozisht postin e tij dhe sfida e së mërkurës ndaj Udineses në “Allianz Stadium” mund të jetë e fundit për kroatin në pankinën bardhezi – pavarësisht rezultatit.
Humbja 1-0 ndaj Lazios të dielën ishte e treta radhazi për “Zonjën e Vjetër” në të gjitha garat dhe ndeshja e tetë pa fitore. Fitorja e fundit e Juventusit daton më 13 shtator kundër Interit, ndërsa presioni mbi Tudorin është tashmë në kulm.
Sipas “Corriere dello Sport”, drejtuesit e klubit po shqyrtojnë opsionin e shkarkimit të menjëhershëm – madje edhe nëse skuadra arrin të fitojë ndaj Udineses.
Ndërkohë “Gazzetta dello Sport” raporton se jo të gjithë drejtuesit janë të bindur për ta larguar tani, ndaj kroati pritet të drejtojë edhe ndeshjen e radhës, por pa garanci për të ardhmen.
Nëse vendimi për shkarkim merret, në listën e zëvendësuesve janë disa emra të njohur të futbollit italian: Luciano Spalletti, Roberto Mancini, Raffaele Palladino, dhe madje Thiago Motta, i cili u largua nga Juventusi në mars 2025, por është ende nën kontratë deri në vitin 2027.
Në Torino mbretëron pasiguri totale, dhe e ardhmja e Tudorit do të varet nga 90 minutat e ardhshme – ose ndoshta as nga ato, raporton Telegrafi, përcjell Periskopi



