Pavarësisht paralajmërimeve të SHBA, Mbreti spanjoll pas 18 viteve shkon në Kinë për t’i kërkuar bashkëpunim
Ministria e Jashtme e Kinës njoftoi të hënën se Mbreti i Spanjës, Felipe VI, do të zhvillojë një vizitë shtetërore në Kinë nga 10 deri më 13 nëntor, që do të jetë vizita e parë e një monarku spanjoll pas 18 vitesh. Kjo ndodh ndërsa Madridi kërkon të forcojë investimet kineze dhe lidhjet tregtare.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, deklaroi se Kina është e gatshme të bashkëpunojë me Spanjën për të shfrytëzuar mundësinë që ofron kjo vizitë, me qëllim zgjerimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Spanja ka tentuar aktivisht të tërheqë Kinën ekonomikisht, pavarësisht paralajmërimeve të Shteteve të Bashkuara lidhur me afrimin ndaj ekonomisë së dytë më të madhe në botë. Kryeministri Pedro Sánchez ka vizituar Kinën tre herë brenda tre vitesh, më së fundmi në pranverën e këtij viti. Gjatë një vizite në shtator 2024, Sánchez njoftoi ndryshimin e qëndrimit të Spanjës, duke mos mbështetur më vendosjen e tarifave nga Bashkimi Evropian mbi automjetet elektrike kineze, raporton reuters, përcjell Periskopi.
Janë konfirmuar edhe disa investime kineze në Spanjë, përfshirë fabrikat e prodhuesit të baterive CATL dhe grupit të energjisë së rinovueshme Envision. Përgjithësisht, Bashkimi Evropian mbetet i kujdesshëm ndaj angazhimit ekonomik me Kinën, duke u shqetësuar për pabarazitë tregtare, lidhjet e Pekinit me Rusinë dhe dominimin e Kinës në furnizimin global me minerale kritike.



