Pesë vjet të qeverisë Kurti as edhe një tullë në kompleksin memorial “Adem Jashari”

Pesë vjet të qeverisë Kurti as edhe një tullë në kompleksin memorial “Adem Jashari”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kishte premtuar në fund të vitit 2024 se qeveria e tij nuk do të kursejë asgjë për ndërtimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

“Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e Familjes Jashari. Gëzuar 28 Nëntori”, kishte thënë Kurti.

Por gati një vit më pas, nga ky premtim nuk ka asnjë rezultat konkret në terren. Punimet ende nuk kanë nisur dhe projekti ka ngecur, ndërkohë që kostoja është rritur pothuajse trefish nga ajo fillestare.

Sipas dokumenteve zyrtare, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e udhëhequr nga Hajrulla Çeku, ka shpërblyer me kontratë grupin e operatorëve ekonomikë me çmimin më të lartë se vlera e parashikuar e kontratës.

Nga 3 milionë euro që ishte planifikuar fillimisht, master-plani për kompleksin është shpërblyer me 7 milionë e 890 mijë euro.

Ministria ka zgjedhur një konsorcium të përbërë nga tre kompani të huaja që janë “Gerber Architekten International GmbH”, “Donald Insall Associates” dhe “Barker Langham, shkruan Periskopi.

Tenderi për këtë projekt u pezullua fillimisht pas një ankese nga Instituti i Shkencës dhe Teknologjisë (INSI) SHPK, që pretendonte se gjatë procedurës ishin bërë shkelje të rënda.

Përfaqësuesi i INSI-t, Ismajl Baftjari, kishte deklaruar disa herë se vlerësimi i ofertave nuk është bërë në mënyrë të drejtë, pasi vetëm kompania që ai përfaqësonte kishte dorëzuar dokumentet në të dy format e kërkuara, fizikisht dhe në mënyrë elektronike, ndërsa operatorët tjerë i kishin dorëzuar vetëm fizikisht.

Edhe pse tenderi u pezullua përkohësisht, më pas Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e hodhi poshtë ankesën dhe ministria vazhdoi me procedurën.

INSI kishte dorëzuar padi në Gjykatën Komerciale më 16 shkurt 2024, duke kërkuar që tenderi të anulohej për shkak të shkeljeve procedurale.

Avokati i kompanisë, Qëndrim Arifi, kishte thënë se faza e vlerësimit të ofertave ishte e papranueshme dhe se ministria kishte shpërblyer ofertën më të shtrenjtë pa respektuar kriteret teknike dhe administrative.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në një intervistë për Klan Kosova në nëntor të vitit të kaluar, kishte pranuar se projekti do të vonohet.

Ai kishte thënë se “është e pamundur të përfundojnë të gjitha projektet për një mandat”, duke përmendur se procesi ka marrë shumë kohë për shkak të hartimit të detyrës projektuese, konkursit ndërkombëtar dhe përzgjedhjes së kompanive fituese.

Megjithatë, deri më sot nuk ka asnjë afat konkret për fillimin e punimeve dhe asnjë komunikim të qartë nga ministria për arsyet e vonesës. Edhe pyetjet që janë dërguara nga Periskopi në MKRS për të marrë një sqarim në lidhje me vonesat, nuk ka përgjigje.

Në anën tjetër, mungesa e transparencës në këtë proces ka ngjallur dyshime edhe më të mëdha.

Ministria nuk ka publikuar vlerën e ofertave të operatorëve të tjerë të papërgjegjshëm dhe as arsyet pse ata janë skualifikuar.

Ky fakt ka lënë hapësirë për spekulime se tenderi është favorizuar në mënyrë të qëllimshme.

Ndërtimi i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz konsiderohet një projekt me rëndësi të madhe kombëtare, që ka për synim të përforcojë kujtesën historike dhe simbolikën e luftës për liri. Por mënyra si po menaxhohet ky proces ka ngritur shumë pyetje në opinionin për mënyrën si po menaxhohet projekti.

Periskopi në vazhdimësi ka raportuar për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz./Periskopi/

Tenderi 3 milionësh për kompleksin memorial “Adem Jashari” përfundon në Gjykatë

Mirret vendimi për hartimin e planit hapësinor për kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz

 

MKRS thotë se s’ka pezullim të procedurave për master-planin e Kompleksit Memorial Adem Jashari

Dyshimet për dallavere në Kompleksin Memorial Adem Jashari: Pezullohet tenderi i cili nga 3 u bë 8 milionë euro

Shpërndaje në: