Vendos Vjosa Osmani, Konjufca zyrtarisht kandidat për kryeministër

Vendos Vjosa Osmani, Konjufca zyrtarisht kandidat për kryeministër

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka marrë vendim që, i propozuari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca të jetë kandidat për kryeministër, raporton Periskopi.

“Kam mandatuar z. Glauk Konjufca, kandidat tjetër për kryeministër, ashtu siç qartë e kërkon dhe e përcakton neni 95, pika 4 e Kushtetutës, si dhe vetë praktika e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar presidentja në konferencë për media.

Ajo tha se nuk ka pasur propozim nga partitë tjera për mandatar.

Sikurse mandatari i parë, edhe Konjufca ka 15 ditë afat për ta votuar Qeverinë në Kuvend.

Këtë vendim, Osmani e mori pas takimeve që ajo ka zhvilluar gjatë ditës së sotme me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Po ashtu, një takim me Osmanin, i është propozuar edhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, porse ky i fundit nuk ka shkuar pasi që i njëjti ka qenë në aktivitete në terren në kuadër të fushatës për balotazh.

Glauk Konjufca është propozuar sot për mandatar për formimin e Qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje e cila ka mbledhur sot Këshillin e Përgjithshëm.

Ndryshe, edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, u ka bërë thirrje partive politike të vendit që të bashkohen përtej ndasive dhe të krijojnë një shumicë të fuqishme që do të mundësojë zbatimin e reformave dhe ratifikimin e marrëveshjeve të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës.

“Jemi në një kohë vendimtare për Kosovën, Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian. Për BE-në, zgjerimi është një imperativ strategjik – një investim në stabilitet, siguri dhe prosperitet”, ka thënë Orav gjatë konferencës për media të martën bashkë me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ku po prezantohen të gjeturat e Raportit të Progresit./Periskopi/

Shpërndaje në: