“Abuzim, kryeministër mashtrues, blerje të votave” – Reagimet për 100 eurot e Kurtit para zgjedhjeve

“Abuzim, kryeministër mashtrues, blerje të votave” – Reagimet për 100 eurot e Kurtit para zgjedhjeve

Të enjten është procesuar pagesa për grupin e parë të studentëve që janë kualifikuar si përfitues të shumës prej 100 eurove, ka njoftuar kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se janë gjithsej 49,623 studentë përfitues të të gjitha drejtimeve e institucioneve arsimore, publike e private që janë procesuar me grupin e parë, përcjell Periskopi.

“Pjesa e mbetur e aplikuesve që plotësojnë kriteret për përfitim do të shqyrtohen dhe procesohen me grupin e dytë në ditët në vijim”, ka njoftuar Kurti.

Pas këtij njoftimi, ka pasur reagime të ashpra nga parti të tjera, për shkak, sic thanë, për blerje të votave.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ndarja e nga 100 eurove për secilin student, tre ditë para balotazhit, është tentim për blerje të votave nga qeveria në detyrë.

“Të ardhmen që ua vodhi, në shtetin më të varfër e më të izoluar në Evropë, me arsimin ndër më të fundit në botë, provon t’ua blejë me 100 euro për votë – tre ditë para balotazhit. Një regjim i frikësuar dhe në rënie të lirë, po trajton studentët e Kosovës si material shitblerje zgjedhor. Studentët drejtojnë kohë, rrëzojnë regjime e përcaktojnë epokë.  Prandaj, këta SMS ‘cringe’, para zgjedhjeve nuk blejnë as heshtjen, as shpresën. As votën. I keni nënçmuar. Do t’iu kthejnë përgjigje këtë të diel me votë. 💙 Kosova është shumë e mençur se sa po e trajton kryepopullisti sot!”, ka shkruar Abdixhiku të enjten në Facebook, në ditën kur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njoftoi se ka nisur ekzekutimi i mjeteve për një pjesë të studentëve.

I pari i PDK, Memli Krasniqi e quajti Kurtin “mashtrues”, duke thënë se kjo nuk është ndihmë, por hipokrizi me llogari elektorale.

“Një kryeministër mashtrues që i ka harruar studentët për pesë vite, tani kinse po kujtohet për ta tri ditë para zgjedhjeve – jo për t’i ndihmuar, por duke dashur t’i mashtroj me nga një mesazh propagandistik dhe 100 euro në llogari”.

Edhe Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratikë të Kosovës, e ka quajtur manipulim e panik ndarjen e shtesave.

Çitaku ka thënë se ky është abuzim me taksa për nevoja elektorale.

“Ja si duket abuzimi me taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës për nevoja elektorale të Kryetarit të LVV. Vetëm tre ditë para zgjedhjeve, me paratë e qytetarëve të varfëruar, të cilëve ua ka shtrenjtuar rrymën për t’i shërbyer mafias energjetike, ai shpërndan nga 100 euro për studentët. Ky nuk është as kujdes social, as mbështetje për rininë. Është mashtrim. Është manipulim. Është papërgjegjësi. Dhe mbi të gjitha, është panik”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ndërsa në një prononcim për Periskopin, ish ministri i Financave, Haki Shatri ka thënë se prezantimi i buxhetit derisa fliste për pensionet e pagën e 13-të, janë fushatë e Vetëvendosjes.

Sipas Shatrit, “Qeveria uzurpatore” po bën veprime për fushatë elektorale.

“Jo vetëm 100 euro për studentët, por të gjitha veprimet e Qeverisë uzurpatore janë shfrytëzim i parasë publike për fushatë elektorale.
Prezentimi i buxhetit nga Kurti kur foli vetëm për pensionet, shtesat dhe pagen e 13 janë fushatë e paster e VV me paranë publike.
PS. Pse nuk foli për program zhvillimor, për projekte kapitale, për politikë të jashtme…”, ka deklaruar ai për Periskopin.

Kurse, drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka vlerësuar se dërgimi i mesazheve nga zyra e kryeministrit për studentët duke i njoftuar për ndarjen e 100 eurove, janë abuzim dhe keqshfrytëzimi i taksave publike.

Në profilin e tij në “Facebook”, Kryeziu ka shkruar se kjo ndërhyrje cenon drejtpërdrejt integritetin zgjedhor.

“Abuzimi dhe keqshfrytëzimi i taksave publike dhe postës zyrtare të Zyrës së Kryeministrit për dërgimin e mesazheve të tilla vetëm tre ditë para ditës së zgjedhjeve, është i ndaluar kategorikisht sipas standardeve demokratike vendore dhe ndërkombëtare për integritet elektoral. Kjo ndërhyrje cenon drejtpërdrejt integritetin zgjedhor dhe parimin e barazisë në zgjedhje. Zgjedhjet nuk mund të jenë të lira e të ndershme, nëse shteti përdoret si instrument elektoral”, ka shkruar Kryeziu.

 

“Pazarllëk” i ëmbël për studentët – Ish ministri për Kurtin: Qeveria uzurpatore me fushatë të pastër me paranë publike

Një votë, një 100-she: Joshja e Kurtit për studentët para balotazhit

Shpërndaje në: