Nga hoteli ku rrinte Tito te kazinoja e viteve ’30, Stan Tërgu, fantazma që mezi qëndron në këmbë (VIDEO)

Nga hoteli ku rrinte Tito te kazinoja e viteve ’30, Stan Tërgu, fantazma që mezi qëndron në këmbë (VIDEO)

E harruar nga koha, e shkatërruar dhe e dërrmuar nga njeriu, sidomos pas luftës së fundit. E lënë si një jetim pa përkujdesje — dikur me një emër e lavdi të madhe, e sot një gërmadhë që kërkon shpëtimin.

Emisioni “Krejt Kapak” me Milotin këtë javë ju dërgon në Stan Tërg të Mitrovicës — aty ku për qindra vite nxirrej xehja, aty ku kanë gërmuar e jetuar Dardanët, Shqiptarët, Romakët, Saksat, Osmanët, anglezët dhe shumë kombe të tjera.

“Na jemi shumë emocionalisht të lidhur me këtë vend”, thotë Shpend Feka, banor i Stan Tërgut. Së bashku me Shpendin, vizitojmë pishinën e ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, fushën e tenisit dhe kazinonë e ngritur nga kolonët anglezë që në vitet ’30 të shekullit të kaluar.

Dikur, Stan Tërgu kishte kinema që punonte me dy ndërrime, dyqane të shumta dhe jetë të gjallë, ndërsa sot është thuajse i braktisur. Për kuriozitet, në atë kohë Stan Tërgu kishte edhe DJ, që luante muzikë për banorët çdo mbrëmje.

Në vitet ’30, miniera e Trepçës u popullua nga britanikët — gjë që shihet qartë në arkitekturën e kolonisë angleze, ku shumë prej objekteve ekzistojnë ende, por në gjendje të mjerueshme.

Pjesë e kompleksit të Stan Tërgut ishte edhe hoteli i minierës “Trepça”, i cili deri në vitin 1999 ishte në gjendje të shkëlqyer. Madje, ky hotel ishte vizituar edhe nga Tito. “Hoteli i ka pas krejt — prej gotave, dhomave, krejt, por është shkatërruar pas luftës”, tregon Feka. Për të kuptuar më shumë për Stan Tërgun, lavdinë e dikurshme dhe gërmadhën e sotme — klikoni në episodin më të ri të “Krejt Kapak” në Klan Kosova, transmeton Periskopi.

 

Shpërndaje në: