Shaqir Lutvija dënohet me 10 vite burg për krime lufte

Shaqir Lutvija dënohet me 10 vite burg për krime lufte

Gjykata e Prishtinës ka dënuar me 10 vite burg Shaqir Lutvijën, i akuzuar për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shaqir Lutvija nga Prokuroria Speciale po akuzohet se gjatë periudhës 1998-1999 në cilësinë e inspektorit dhe policit në stacionin policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje, ka aplikuar masa represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor të popullatës civile shqiptare.

Shpallja e këtij aktgjykimi u bë të martën, më 11.11.2025, nga gjyqtari Kujtim Krasniqi, raporton Kallxo.com, transmeton Periskopi.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Shaqir Lutvije detyrohet të paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumën prej 300 euro, si dhe shumën prej 100 euro për fondin e viktimave të krimit.

Të akuzuarit me aktvendim të veçantë iu vazhdua masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi.

Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike u udhëzuan në kontest të rregullt jurdiko-civil. Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.

Aktgjykimi ndaj Shaqir Lutvijes, është marrë nga Kujtim Krasniqi (kryetar i trupit gjykues) dhe Rrahman Beqiri e Violeta Namani-Hajra (antarë).

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 17.09.2024 i akuzuari Shaqir Lutvija nuk e kishte pranuar fajësinë.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas aktakuzës së datës 04.09.2024, i pandehuri Shaqir Lutvija akuzohet se në periudhën kohore 1998-1999, në Prizren gjatë kohës së luftës në Kosovës, në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare.Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka aplikuar masa represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.

Tutje, sipas aktakuzës fillimisht forcat policore dhe ushtarake serbe kanë ndërmarrë një fushatë të arrestimit të popullatës civile të nacionalitetit shqiptarë të gjinisë mashkullore, në mesin e të cilëve kanë qenë R. J., M. K., E. G., S. E., V. V., Q. K., U. K., H. G., S. G., H. SH. dhe A. Z., të cilët pas arrestimit i dërgojnë në Stacionin Policor në Prizren.

Sipas aktakuzës i pandehuri Shaqir Lutvija së bashku me të pandehurit të tjerë, në cilësinë e inspektorit i marrin në pyetje të dëmtuarit dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje i kanë rrahur me grushte dhe shqelma, me mjete të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor, ashtu që përdorë mjete të rrymës elektrike të cilat ua vendosin në pjesën e duarve dhe në organe gjenitale, me ç’rast, si pasojë e kësaj R. J., kishte vdekur, kurse M. K., E. G., S. E., V. V., Q. K., U. K., H. G., S. G., H. SH., dhe A. Z., pësuan lëndime trupore.

Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale ‘Krim i luftës kundër popullsisë civile’, të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë (tutje “LP i RSFJ-së”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

Gjykimet për krimet e luftës

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit./Periskopi

Shpërndaje në: