Reagon Saranda Ramaj: ShSKUK po manipulon me tenderin e Hemodializës, përgjegjës kryesor drejtori Azizi
Gazetarja, Saranda Ramaj, i ka reaguar Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), pasi kjo e fundit ka pranuar se furnizimi me materialin e nevojshëm për shërbimet e dializës nuk është stabil.
Ramaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se ShSKUK është duke mashtruar për sigurimin e materialit për Hemodializë.
“SHSKUK po MASHTRON dhe ka pasur vonesa të qëllimshme në sigurimin e materialeve për Hemodializë. Këtë e them me siguri 100%. Problemi në Hemodializë ka nisur para gati gjashtë muajsh, sepse ka pasur tentativë që kriteret e tenderit t’i përshtaten një kompanie të lidhur me individë brenda QKUK-së, të afërt me drejtorin Azizi e edhe këtë e di me siguri të plotë”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, për pasojë, ky tender dhe çdo vonesë e krijuar janë përgjegjësi direkte e drejtorit Azizi.
Rama ka treguar së në Spitalin e Mitrovicës pacientët që trajtohen me Hemodializë janë duke u trajtuar vetëm me dy orë.
“Është e pakontestueshme se para dy ditësh pacientët në Mitrovicë kanë marrë vetëm 2 orë dializë, në vend të 4 orëve të parapara, për shkak të mungesës së materialit. Në asnjë standard mjekësor në botë nuk lejohet reduktimi i kohës së dializës për arsye furnizimi.Me këtë performancë, as menaxhmenti dhe as Bordi i SHSKUK-së NUK kanë as kredibilitet dhe as legjitimitet të flasin për këtë temë”, ka shkruar Ramaj./Periskopi
Njoftimi i plotë:
SHSKUK e pranon që furnizimi për shërbimet e dializës nuk është stabil
Periskopi ka raportuar se dy tenderë me vlerë miliona euro, të shpallur nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) për furnizimin me materiale të hemodializës, kanë dështuar, duke rrezikuar jetën e mbi 800 pacientëve që marrin këtë shërbim në vazhdimësi. Tenderi i parë, në vlerë të parashikuar prej 5 milionë e 456 mijë euro, është bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) pas një ankese për dyshime se ka shkelje ligjore dhe falsifikim dokumentesh, ndërsa tenderi i dytë emergjent me negociim është anuluar për shkak që operatorët kanë ofruar çmime më të larta nga ajo që ka parashikuar Autoriteti Kontraktues. Kjo situatë ka shkaktuar bllokadë në tërë sistemin shëndetësor ku ofrohen shërbimet e hemodializës./Periskopi



