A do të hyjë PSD-ja në koalicion me ndonjërën parti nëse mbahen zgjedhjet e reja? Flet Molliqaj
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se ende nuk dihet nëse partia që ai drejton do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale, nëse mbahen.
Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, ai ka deklaruar se nëse hyjnë në zgjedhje, nuk do të bëjnë koalicione për mbijetesë, siç i quan koalicionet e partive të tjera në vend.
“Ne duhet të mblidhemi si PSD që të flasim për këtë çështje. Personalisht, nuk jam ithtar i ndonjë koalicioni as për këto zgjedhje. Për mua, koalicionet kanë kuptim vetëm kur ka bashkëpunim paraprak. Do të thotë kuptim elektoral, nuk jam duke folur në kuptimin moral.”
“Nëse PDK-ja dhe PSD-ja kishin pasur bashkëpunime gjatë kësaj kohe, dhe kishin bërë aktivitete herë brenda e herë jashtë, kishin mbajtur edhe konferenca, atëherë ka kuptim. Por vetëm kur bashkohesh për mbijetesë politike,” ka thënë Molliqaj, në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, transmeton Periskopi.
Molliqaj deklaroi se PSD-ja nuk ka nevojë për mbijetesë politike. Sipas tij, PSD-ja dëshiron të ofrojë Kosovës një subjekt të fortë me ide politike./Periskopi/



