Arbnor Morina: Kemi drejt me shpresu për Kosovën në Botëror
Trajneri kosovar, Arbnor Morina ka komentuar shortin e “Play Offit” për kualifikimin në Kampionatin Botëror 2026.
Sot në Cyrih të Zvicrës u hodh shorti i “Play Offit”, ku Kosova mësoi se në gjysmëfinale ballafaqohet me Sllovakinë në udhëtim, e finalen potenciale e luan në Prishtinë me fituesin e ballafaqimit Turqi-Rumani.
Sipas Morinës, Kosova është kombëtare më e mirë se Sllovakia dhe se kjo pengesë në gjysmëfinale është e kalueshme, teksa vlerëson punën e madhe që ka bërë kombëtarja ynë deri tani.
“Deri tash është bë punë e madhe, aspiratat janë më të mëdha e më të mëdha, por edhe Play Offi është diçka e madhe për një kohë të pranimit në instancat e Europës dhe Botës në futboll. Tani po na mbeten dy hapat e fundit, loja e parë me Sllovakinë që është e renditur mjaft lartë në renditjen e FIFA-s, ka numër të vogël që janë top lojtarë, por kanë një kompaktësi. Sa i përket kësaj ndeshje, nuk mendoj se jemi inferior, jemi më të mirë, forca jonë është tek prezentimi i ekipit me formacion të mirë në koncepte të ndryshme të lojës. Mendoj dhe besoj që i kalojmë”, tha fillimisht Morina Blicin.
Ndërsa për finalen e madhe potenciale, Morina thotë se avantazh është që luhet në ‘Fadil Vokrri’, teksa shton se Turqia është para nesh, shkaku i investimeve miliardëshe në sport.
“Edhe Rumania edhe Turqia janë mjaft ekipe të mira, kanë lojtarë që në kampionatet e tyre janë bartës të lojës, por kanë edhe lojtarë të mirë që luajnë në Europë, por mundësia jonë më e mirë është që luhet në shtëpi. Ajo çka na ka ndodhë me rumunët (i referohet humbjes 0:3), nuk mundet me u përsërit 100%, ne mundemi me ua kthy me fitore, kurse me Turqinë duhet me analizu mirë, sepse me mentalitet jemi afër, shpejtë nxehemi, e shpejtë ftohemi, por investimet në futbollin turk janë milardëshe, jo milionëshe, andaj janë në përparësi ndaj neve, por në përgjithësi mendoj se kemi drejt me shpresu për me pa Kosovën në Botëror”, përfundoi Morina.
Ndeshja Sllovaki – Kosovë luhet me 26 mars në Bratislavë, kurse nëse fitojmë, finalen e madhe e luajmë me 31 mars në Prishtinë.



