Përballja me Poloninë, Sylvinho i quan 90 minuta të gjata
Shpresa e kuqezinjve për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026 vazhdon, edhe pse nuk arritën të sigurojnë kualifikimin direkt nga faza e grupeve. Tani, Shqipëria është në fazën play-off dhe ëndrra për të qenë pjesë e turneut botëror mbetet ende e realizueshme.
Sot, në selinë e UEFA-s, u hodh shorti për fazën e play-off-it, ku kombëtarja shqiptare mësoi kundërshtarin e saj të radhës. Gara për kuqezinjtë nuk do të jetë e lehtë, pasi përballë do të kenë Poloninë.
Polonia është kundërshtari i fazës gjysmëfinale, dhe në rast fitoreje, Shqipëria do të ndeshet në finale me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi.
Trajneri Sylvinho komentoi për fshf.org mbi shortin dhe për sfidën që i pret kuqezinjtë. Ai theksoi se Polonia është një kundërshtar i fortë, por që ekipi shqiptar e njeh shumë mirë dhe gjithashtu ata e njohin Shqipërinë.
“Polonia? – Fillimisht, e kemi merituar shumë që të jemi këtu edhe një herë tjetër. Tani luhet futboll. Po flisja me shumë të tjerë, italianë dhe përfaqësues të tjerë. Në futboll, për 90 minuta mund të ndodhë çdo gjë. E njohim mirë skuadrën kundërshtare, por edhe ata na njohin mirë gjithashtu. Luhet futboll, përgatitet ndeshja dhe ecim përpara.”
Për finalen e mundshme ndaj Ukrainës ose Suedisë, trajneri i Shqipërisë tha se të dy skuadrat janë të forta dhe se kombëtarja shqiptare është e përgatitur për çdo sfidë.
“Finalja e mundshme, ndaj Ukrainës ose Suedisë? – Janë të gjitha skuadra të forta, Polonia fillimisht, por edhe nga ana tjetër dy kundërshtarë të fortë. Ukrainën e njohim tashmë nga Nations League, ndërsa ndaj Suedisë kemi zhvilluar një miqësore. Janë skuadra të forta, me lojtarë të fortë. Janë katër skuadra shumë të forta.”



