Si u trajtua Iljasa Fazliu në rastin e akuzës për keqtrajtim të vajzës 3-vjeçare?

Si u trajtua Iljasa Fazliu në rastin e akuzës për keqtrajtim të vajzës 3-vjeçare?

Logopedi dhe defektologu Iljasa Fazliu u arrestua më 27 nëntor të vitit 2022, pasi në media u publikua një audio-incizim nga ordinanca e tij private në Gjilan, ku ai dëgjohej duke e fyer dhe sharë një paciente 3-vjeçare me autizëm.

“Ik more, ik aty….Hejj, uh sa nerva po me shkon, kush e duron këta një orë,. jepja bre jepja q***a nanen se po na… Nalu, nalu ta q**t dreqi nanen. Ik atje, ik atje, ik, mmmm, ik atje, shumë punë e madhe budallicë, çka po don, çka?…Kuh nanen s’po u durojshe ti”, dëgjohej Fazliu në këtë audioincizim.

Pas publikimit të rastit në media, Fazliu më 29 nëntor 2022, ishte shkarkuar nga pozita e u.d shefit të Logopedisë. Por, me një vendim tjetër të po kësaj date, ai ishte kthyer në punë vetëm si defektolog në këtë klinikë.

Por, ndaj tij, nuk ishte zhvilluar asnjë procedurë disiplinore.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Fazliut i kishte ngritur aktakuzë për veprën penale “Trajtimi i pa ndërgjegjshëm mjekësor”. Sipas Prokurorisë, Fazliu, haptas ka përdorur metodë të pa përshtatshme për trajtim dhe nuk ka zbatuar rregullat e profesionit të logopedit.

Në gjykimin ndaj Fazliut ishte bërë edhe një ekspertizë psikiatrike, por që fëmija asnjëherë nuk ishte ekzaminuar, sipas tyre pasi nëna e fëmijës nuk ka pranuar.

Në këtë gjykim, kishte dëshmuar Ekspertja e Psikiatrisë së Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, Dr. Blerina Hoxha-Gjuraj.

Sipas saj, Ndërhyrja e logopedit në këtë seancë nuk ka mundur të ndikojë në dëmtim emocional të fëmijës.

“Me fjalën “ik atje, budallicë”, sigurisht që iu ka drejtuar fëmijës. Nuk e konsideroj se nga ana e logopedit që ka qenë bërtimë ndaj fëmiut, ka qenë koment në sjelljen e fëmijës, se qenka fëmijë i vështirë, që nuk po merrka vesh dhe fëmiu ka vazhduar të vazhdoj të bashkëpunoj me logopeden, të luaj qeshë, të lëshoj zëra të paartikuluar që është karakteristikë e këtyre fëmijëve, sikur të kishte pasur lëndim emocional fëmija do ta ndërpriste bashkëpunimin me logopeden do të kërkonte të ikte dhe të dilte nga seanca”, kishte thënë ajo.

Betimi për Drejtësi, ka kërkuar përgjigje edhe nga ekspertja Hoxha-Gjuraj, por ajo ka thënë se nuk e ka me këtë lëndë pasi është përfunduar në Gjykatën e Apelit.

Vetë Iljasa Fazliu jep versionin e tij për këtë rast, duke thënë se kishte qenë i ngarkuar me punë tjera të tij.

“S’jam marr unë me të hiç veç tha s’po rrin, po qanë,  po thash merre jepja ndonjë lodër, ndonjë send edhe ajo fëmija duke e këqyr ballonin. Jam hyp me marrë ballonin. Kur kam zbrit poshtë domethënë unë jam tu fol në telefon s’jam marrë me punë, as nuk e kam trajtuar unë hiç në qato dy seancat. Absolutisht s’jam marrë punë, seanca e katërt u kanë, kur kam ra poshtë të këmbët gati jam kanë duke e shkelë edhe me ka rrjedh ajo fjalë “ik atje, se kesh tu e shkelë, në atë kuptim. Unë nuk po them që ka qenë mire, shprehjet e tilla  nuk duhet me u përdor, por gjykata i ka vërtetuar. Domethënë praktikisht që s’ka pasur të bëjë me të hiç”, ka thënë ai./Periskopi

Shpërndaje në: