Besnik Tahiri: Kurti e ka partner strategjik Listën Serbe, kanë bashkëpunuar për vendime kyçe
Në emisionin “Real Talk me Maxhunin”, që transmetohet në Periskop dhe T7, Besnik Tahiri nga AAK, ka thënë se mungesën e rezultateve qeverisëse Vetëvendosje po e mbulon me retorikë populiste dhe me akuza të pambështetura ndaj ish-opozitës.
Në intervistë, Tahiri tha se sa herë që Qeveria Kurti përballet me mungesë performance, “e kthen gjithë agjendën në retorikë populiste”, duke u munduar të krijojë perceptimin se të gjithë janë kundër Kurtit për shkak se ai “po lufton korrupsionin”.
“Kur ka mungesë të rezultateve qeverisëse, VV e ktheu në agjendë retorikën populiste. Qytetari i painformuar i merr parasysh këto”, deklaroi Tahiri.
Ai theksoi se Vetëvendosje mundohet t’i paraqesë të gjitha partitë e tjera si pjesë të një status quo-je të vjetër, megjithëse, sipas tij, përgjegjësitë për qeverisje i ka vetëm një subjekt politik.
“Po e marr AAK-në. Që nga shpallja e pavarësisë ka qeverisur për 18 muaj. PDK është në opozitë që nga viti 2019. LDK ka qenë më shumë në qeverisje. Kush është në Qeveri qe 5 vjet? Vetëvendosje”, tha ai.
Tahiri akuzoi Kurtin për bashkëpunime të vazhdueshme me Listën Serbe në vendimmarrje, ndonëse VV publikisht deklaron se nuk punon me ta.
“A ka marrë vendime me Listën Serbe? Po. Kush e ndali votimin e veteranëve? Vetëvendosje me Listën Serbe”.
Ai shtoi se opozita ka obligim të sqarojë me argumente para qytetarëve se kush realisht ka bashkëpunuar me këtë subjekt politik.
“A ka qenë ministër i Listës Serbe në kabinet të Kurtit, Goran Rakiq? Po. A kanë votuar bashkë për Ligjin e Veteranëve? Po. I ka kërkuar votë Listës Serbe për Trustin? Po!”, tha Tahiri.
Sipas tij, ka pasur indikacione edhe për ndërhyrje nga struktura të lidhura me Beogradin në procese të rëndësishme politike të vendit.
“A doli në pah nga disa burime që është kërkuar vota e një deputeti të Listës Serbe nga Radioiqiq për ta votuar presidenten? A e shihni kush ka pasur koalicion dhe bashkëpunim?”, përfundoi Tahiri.
Tahiri tha se opozita duhet të vazhdojë t’i paraqesë këto fakte para qytetarëve, që sipas tij të mos “manipulohet opinioni me narrativa populiste” dhe të shihet qartë se kush ka mbajtur pushtet dhe me kë ka bashkëpunuar realisht gjatë këtyre pesë viteve Kurti./Periskopi/



