Aktakuzë ndaj ish-komandantit që s’i parandaloi krimet më ’99 në Gjilan
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj D.N., për veprën“Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas njoftimit, i pandehuri akuzohet se gjatë periudhës mars-prill të vitit 1999, në cilësinë e komandantit të nënstacionit në Zhegër të Komunës së Gjilanit, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar plaçkitjet, dëbimin dhe vrasjet e 29 e civilëve shqiptarë.
Aktakuza thotë se, D.N ishte në dijeni se më 30 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, nën komandën e tij, kishin rrethuar fshatin Zhegër, ndërsa më 27 mars 1999 ishte sulmuar fshati Llashticë.
“I pandehuri D.N., së bashku me komandantin e Stacionit të Policisë në Gjilan, kishin urdhëruar tjetërsimin e vendit të ngjarjes me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit. D.N edhe pse ishte njoftuar përmes një letre nga të dëmtuarit nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar, ndaluar ose për t’i paraqitur rastet për hetim, por ishte larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim./Periskopi/



