Murati për Trafikun Urban: Betejë politike që LDK-ja po e bën në kurriz të qytetarëve
Zyrtari i Vetëvendosjes që po qëndron në postin e Ministrit të Financave, Hekuran Murati, ka folur për gjendjen e Prishtinës pas mbylljes së linjave të trafikut urban. Murati tha se është “betejë politike” që po bën Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe jo faj i Qeverisë, siç pretendojnë ata.
Murati mbështeti deklarimet e presidentjes, Vjosa Osmani, e cila deklaroi se i ka ofruar Lumir Abdixhikut mundësinë që të thirret seancë për buxhet të Prishtinës në Kuvendin e Kosovës para se ta shpërbënte atë.
“Vjosa Osmani ua dha edhe një mundësi, që para të shpërbëjë Kuvnedin, të votohej buxheti edhe për tre komunat, RTK-në, dhe marrëveshjet ndërkombëtare Ky është problemi. Këtë që pamë sot, që LDK dhe Lumir Abdixhiku po bëjnë politike në kurriz të qytetarëve të Kosovës. Para një muaji e pata paralajmëruar këtë problem me Trafikun Urban”, tha Murati.
Ai tha se kryeqyteti ka punuar me 1/12 e buxhetit emergjent.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, në mungesë të kauzave të vërteta politike, ka vendosur të sabotojë, të marrë peng qytetarët e Prishtinës dhe të mbajë peng qytetin e Prishtinës, duke bërë betejën politike në kurriz të tyre. Nuk besoj se kanë kaluar dy javë prej kur nga kryetari i Komunës së Prishtinës dëgjonim se si do të transformohet trafiku urban, ndërsa tani nga transformimi kemi kaluar në ‘bankrotim’; po shihet qartë se po shtohet kjo propagandë që po bëhet. Në mungesë të kauzave politike kjo po keqpërdoret, madje po shfrytëzohet në kurriz të qytetarëve duke u mohuar atyre shërbime publike, vetëm e vetëm që të fajësohet qeveria apo Ministria e Financave.
Murati, po ashtu ka deklaruar se nuk kanë kaluar as dy javë që kur Përparim Rama premtonte se si do ta transformonte Trafikun Urban.
“Unë kam takuar sot edhe përfaqësuesit e sindikatave dhe kam sqaruar se kemi dy probleme. Problemi i parë te transporti publik është i vet shkaktuar dhe do të ndodhte edhe po të kishte buxhet të miratuar pasi ka pasur vendime elektorale për të larguar nga pagesa shumica e qytetarëve dhe kësisoj barrën e ka marrë përsipër komuna në një kohë kur nuk ka pasur buxhet të miratuar. Kjo e ka rritur obligimin financiar në një situatë ku komuna nuk ka pasur buxhet”, ka thënë ai./Periskopi/



