Merz: Nuk ka plan paqeje të suksesshëm pa Rusinë në tryezën e negociatave
Rusia duhet të kthehet në tryezën e negociatave nëse plani i paqes për Ukrainën do të ketë ndonjë shans, tha kancelari gjerman, Friedrich Merz në margjinat e samitit BE-Bashkimi Afrikan në Luanda të Angolës.
Ai vlerësoi se një përparim diplomatik këtë javë nuk ishte realist.
“Rusia duhet të jetë e pranishme në tryezën e bisedimeve. Nëse kjo arrihet, çdo përpjekje do të justifikohej, përndryshe, përpjekjet do të duhet të dyfishohen”, tha Merz.
Berlini përshëndeti përparimin e bërë nga amerikanët, ukrainasit dhe evropianët në bisedimet e Gjenevës, të cilat bazohen në një plan paqeje prej 28 pikash të paraqitur nga Uashingtoni, një dokument që fillimisht u kritikua si shumë i favorshëm për Moskën. /Periskopi/



