Shtatëmbëdhjetë rekomandime për të luftuar islamizmin në Francë: Le Figaro zbulon raportin tronditës të së djathtës senatoriale
Dokumenti prej 107 faqesh me masa të forta, fryt i punës së një grupi prej 29 senatorësh, premton të nxisë debat në Francë, përfshirë edhe brenda vetë kampit të tyre.
“Islamizmi është një pengesë për kohezionin tonë kombëtar.” Ai mund të luftohet vetëm me një plan ambicioz të mbështetur në masa strikte. Kjo është bindja e grupit të punës të kryesuar nga senatorja republikane (LR) e Val-d’Oise, Jacqueline Eustache-Brinio, e cila sapo ka prodhuar një raport prej 107 faqesh me rekomandime të forta, përmbajtjen e të cilit e zbardh këtu Le Figaro.
Ky dokument, rezultat i punës së një grupi prej 29 senatorësh, i është dorëzuar kryetarit të grupit LR të Senatit, Mathieu Darnaud, disa ditë pas rikthimit në sallë të Bruno Retailleau, i cili pritet të përfshihet sërish fuqishëm në mekanizmin parlamentar. Cilat do të jenë hapat konkretë që do të ndërmerren ndaj këtyre propozimeve?
“Ndalimi i mbulesës për vajzat nën 16 vjeç” dhe “ndalimi i agjërimit për të miturat”
Një gjë është e sigurt: mes 17 masave të parashikuara, disa prej tyre premtojnë të ndezin debat, përfshirë brenda vetë grupit. Sepse raporti Eustache-Brinio propozon as më pak e as më shumë se “ndalimin e mbulesës për vajzat e vogla dhe adoleshentet nën 16 vjeç” në hapësirën publike, por edhe “ndalimin e agjërimit për të miturat nën 16 vjeç.” Ai saktëson: “Këto rekomandime bazohen në një qasje për mbrojtjen e fëmijëve.”
Ndërkohë, kreu i LR në Asamblenë Kombëtare, Laurent Wauquiez, pritej të depozitonte të hënën një projektligj që synon ndalimin e mbulesës për vajzat e mitura. Deputeti i Haute-Loire citon një studim të Ifop-it, sipas të cilit 44% e vajzave myslimane të moshës 15–24 vjeç mbajnë sot shami, kundrejt 16% në vitin 2003.
Raporti shton se senatorët e grupit “janë gjithashtu pro ndalimit të mbajtjes së shamive nga shoqërueset në ekskursione shkollore, për të ruajtur një hapësirë edukative neutrale dhe në përputhje me parimet e shkollës publike.” Ai shpjegon se kjo masë synon të ruajë neutralitetin në mjedisin shkollor. Ajo ishte miratuar nga Senati gjatë shqyrtimit të projektligjit për neutralitetin fetar të personave që kontribuojnë në shërbimin publik arsimor, më 29 tetor 2019, por Asambleja Kombëtare nuk e futi tekstin në rend dite. “Prandaj nevojitet një dispozitë e re ligjore.”

Sa u përket martesave të detyruara, raporti rekomandon ashpërsim.
“Grupi i punës rekomandon që procedura e dëgjimit të bashkëshortëve para transkriptimit të martesës nga autoritetet konsullore franceze të bëhet sistematike.”, thuhet në këtë rekomandim.
Po ashtu, senatorët theksojnë se është e nevojshme “të gjurmohen financimet e xhamive dhe shoqatave me synim parandalimin e përdorimit të strukturave fetare për propagandë politike. Kjo nënkupton forcim të detyrimeve deklaruese të shoqatave që marrin financime të huaja, si dhe kontroll efektiv të respektimit të këtyre detyrimeve.”
Ndër reformat e kërkuara, në rend të parë qëndron një kërkesë e përsëritur prej vitesh.
“Kalim i lëshimit të vizave nën autoritetin e Ministrisë së Brendshme, për të siguruar koherencë mes hyrjes, qëndrimit dhe kontrollit të të huajve.”, thuhet më tej.
Sipas mbështetësve të kësaj mase, kjo do të ishte një “mjet strategjik”, duke përshtatur kriteret e vizave sipas bashkëpunimit të vendeve të origjinës dhe duke forcuar ndikimin e politikës migratore. Një centralizim i tillë “do të kontribuonte në parandalimin e infiltrimit të individëve të lidhur me islamizmin radikal, duke mundësuar një kontroll më strikt të hyrjeve”.
Grupi i punës jep një përkufizim të qartë, se islamizmi është një ideologji që synon transformimin e shoqërisë franceze sipas normave fetare radikale, duke përbërë kështu, sipas raportit, një projekt separatist të qëllimshëm afatgjatë.
Ata theksojnë se luftojnë islamizmin dhe jo islamin, për t’iu shmangur akuzave për ngatërrim.
Një tjetër propozim i fortë është bërja e neutralitetit fetar të detyrueshëm për të zgjedhurit lokalë dhe ndalimi i shenjave fetare të theksuara.
Sipas raportit, kjo do të ishte koherente me neutralitetin tashmë të detyrueshëm për nxënësit, nëpunësit civilë, gjyqtarët, policinë dhe ushtrinë.
Gjatë punës u analizuan dëshmi të gjera nga funksionarë të lartë, ekspertë të sigurisë, sociologë, juristë, imamë dhe ish-anëtarë të organizatave islamiste. Ndër figurat e përmendura janë Bertrand Chamoulaud, drejtor i inteligjencës territoriale, Matthieu Ghadiri, ish-agjent i infiltruar, Mohamed Louizi, ish-anëtar i Vëllezërve Myslimanë, Michel Aubouin, ish-prefekt, Hassen Chalghoumi, imami i Drancy dhe Florence Bergeaud-Blackler, antropologe, kërkuese në CNRS.
Sipas antropologes Bergeaud-Blackler, organizatat islamiste në Francë, përfshirë Vëllezërit Myslimanë, funksionojnë përmes një strukture piramidale sekrete me rreth njëqind anëtarë të betuar, që influencojnë rreth 100.000 besimtarë përmes 100 deri 200 xhamive.
Ajo përshkruan gjithashtu një “ekosistem të plotë” prej “280 shoqatash satelite, 21 institucione shkollore, 114 shkolla koranore”, ku anëtarët japin një betim të bindjes totale dhe “kryerjes së xhihadit”.
Raporti thekson se strategjitë e infiltrimit islamist mbështeten në dyzimin e diskursit, futjen në institucionet publike dhe shfrytëzimin e lirive demokratike. Terrenet më të synuara janë shkolla dhe sporti.
Sipas dokumentit, shamia po bëhet simbol i aparteidit seksual, një instrument kontrolli social dhe shënjimi territorial.
Ai përmend gjithashtu “ghettoizimin” e disa territoreve.
Grupi kërkon zbatimin sa më shpejt të reformës kushtetuese që garanton epërsinë e ligjeve republikane, ruajtjen e ndalimit të shenjave fetare ostentative në shkolla, duke përshëndetur “efektet pozitive të qarkores Attal (2023 si dhe parandalimin e ndikimit islamist në shërbimet studentore (si kuzhinat e Crous-it).
Ata kërkojnë gjithashtu riafirmimin e miksimit vajza-djem në të gjitha hapësirat publike, rishfaqjen e politikave të mbështetjes për gratë e lagjeve të varfra, përmes shoqatave të pavarura nga grupet fetare dhe mbrojtje konkrete për gratë që përballen me presion komunitar.
Në përfundim raporti konkludon se të gjitha këto masa konvergojnë drejt nevojës për një riforcim republikan global përballë ofensivës islamiste.
“Ky riforcim duhet të jetë intelektual, juridik, administrativ dhe politik.”, thuhet në fund të raportit.
Sido që të jetë vazhdimi, grupi senatoral premton të mos tërhiqet nga detyra dhe roli i tyre./Periskopi/



