Prokuroria në Gjakovë ngre aktakuzë ndaj një personi për shitblerje të narkotikëve

Prokuroria në Gjakovë ngre aktakuzë ndaj një personi për shitblerje të narkotikëve

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet G.B., i dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme në fushën e narkotikëve.

Sipas aktakuzës, më 8 shtator 2025, rreth orës 17:55, në fshatin Ponoshec të Komunës së Gjakovës, i pandehuri është kapur duke transportuar substanca të dyshuara narkotike pa autorizim dhe me qëllim shitjeje. Patrulla e Policisë Kufitare SPMK-Ponoshec kishte ndalur automjetin e tij, me targa …, të cilin ai e drejtonte pasi kishte hyrë nga Republika e Shqipërisë.

Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë vërejtur një aromë të dyshimtë për narkotik. Edhe pse i pandehuri ka deklaruar se nuk posedonte asgjë të paligjshme, njësitë policore nën asistimin e Njësisë K9 kanë gjetur në automjet dy qese me marihuanë të fshehura në bagazh, me peshë totale 998.7 gram, si dhe një qese tjetër prej 1.52 gram të fshehur nën plastikën e fshesave të automjetit. Sasia e gjetur është sekuestruar si provë materiale.

Prokuroria ka bërë të ditur se me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokurori i rastit ka propozuar para gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas dispozitave ligjore./Periskopi/

Shpërndaje në: