Rritet numri i të vdekurve nga zjarri në Hong Kong

Rritet numri i të vdekurve nga zjarri në Hong Kong

Numri i të vdekurve nga një zjarr masiv që përfshiu disa blloqe banimi shumëkatëshe në lagjen veriore Tai Po të Hong Kongut është rritur në 44, derisa 279 të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Ky është zjarri më vdekjeprurës në Hong Kong në të paktën 63 vjet, shkruan BBC, transmeton Periskopi.

Ky zjarr është barazuar tashmë me numrin e viktimave të zjarrit të gushtit 1962 në lagjen Sham Shui Po, i cili mbyti 44 persona dhe la qindra të tjerë pa strehë në qytet. Rreth 22.7 kg fishekzjarrë të ruajtur në ambientet e ndërtesës kishin shkaktuar përhapjen e shpejtë të flakëve në katet e sipërme, raportoi South China Morning Post (SCMP).

Në nëntor 1996, një zjarr në ndërtesën Garley në Kowloon vrau 41 persona dhe plagosi 81 të tjerë.

Zjarri më vdekjeprurës i regjistruar ndonjëherë ndodhi në vitin 1948 pas një shpërthimi në katin përdhes në një depo pesëkatëshe që përmbante “mallra të rrezikshme”, sipas SCMP. Ai la të vdekur 176 persona./Periskopi

Shpërndaje në: