Vendimi i PZAP’së që përmbysi “aventurën” e Vetëvendosjes

Vendimi i PZAP’së që përmbysi “aventurën” e Vetëvendosjes

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit nuk do të ketë mundësi të votohet në restorante e objekte të tjera në diasporë.

Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa ka vendosur se votimi jashtë përfaqësive diplomatike të Kosovës është i kundërligjshëm.

Vendim, për të cilin Periskopi ka raportuar ekskluzivisht.

Pas këtij vendimi, kanë reaguar vet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Anëtari i kryesisë i LDK-së Alban Zogaj, deklaroi se ky vendim është pozitiv.

“Shumë mirë. Ka qenë absurde me votu nepër lokale private”, tha Zogaj.

Kurse, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar LDK-në, se është kundër diasporës.

“A din dikush me tregu pse LDK-ja është kaq kundër diasporës?

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ofru hapësira shtesë për votim (përveç ambasadave e konsullatave), ashtu që diaspora jonë me e pasë sa më afër vendvotimin dhe kësisoj sa më të lehtë procesin e votimit.

LDK paraqet ankesë në PZAP për të kundërshtuar këtë lehtësim për diasporën. PZAP e miraton ankesën e LDK-së.

Me deklarata LDK-ja e kërkon votën e diasporës, ama me vepra po shihet që po bën çmos që ta pengojë”, ka shkruar Murati.

Kujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të enjtën e kaluar, me insistimin e anëtarëve të VV-së, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, kishte miratuar propozimin e Ministrisë së Jashtme që votimi jashtë vendit të mos bëhej vetëm në përfaqësitë diplomatike.

Ishte kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, jo vetëm që kishte votuar për kalimin e propozimit të paligjshëm, por në mënyrë të paprecedentë e kishte rikthyer votimin, pasi në votimin e parë kishte marrë votat e pamjaftueshme. Herën e dytë, propozimi mori 6 vota, përfshirë votën e përfaqësueses turke.

Megjithatë, me vendimin e PZAP’së, u përmbysë.

Ekskluzive: PZAP rrëzon vendimin e paligjshëm të KQZ-së për votimin jashtë përfaqësive diplomatike në restorante

Video: Radoniqi kishte kthyer votimin për vendimin e paligjshëm për organizim të votimit jashtë përfaqësive diplomatike në restorante

 

Shpërndaje në: