Veliaj para GJKKO, kërkesat e tij: Më lironi nga kafazi
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, paraqiti kërkesat e tij në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke kundërshtuar vendosjen e tij në kafaz metalik gjatë seancave, masë që ai e konsideron shkelje të dinjitetit njerëzor, prezumimit të pafajësisë dhe të drejtës për mbrojtje efektive.
Veliaj theksoi se vonesat në shqyrtimin e çështjes nuk kishin ardhur për mungesë respekti ndaj gjykatës, por për shkak të pamundësisë për të ushtruar të drejtat e tij elementare, përfshirë aksesin në dosjen prej rreth 60 mijë faqesh të çështjes.
Ai kërkoi heqjen e menjëhershme të masës së kafazit, vendosjen e dokumentacionit në dispozicion të tij në mënyrë të lexueshme dhe shtyrjen e procedurës deri në garantimin e të drejtës për mbrojtje efektive.
Veliaj argumentoi se vendosja në kafaz metalik është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me standardet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe nenet 3 dhe 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke u bazuar në precedentë ndërkombëtarë si çështjet Svinarenko dhe Slyadnev kundër Rusisë, Ashot Harutyunyan kundër Armenisë dhe Khodorkovskiy dhe Lebedev kundër Rusisë. Ai theksoi se kafazi pengon komunikimin privat me mbrojtësit, kufizon pjesëmarrjen reale në proces dhe krijon perceptimin se ai është një person “i rrezikshëm”, duke cënuar thelbësisht të drejtën për një proces të rregullt, raporton JOQ.
Kryebashkiaku kërkoi gjithashtu akses të plotë në aktet e dosjes dhe kohën e nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes, duke nënvizuar se përdorimi i një USB-je nuk ishte praktikisht i mundur për shkak të rregulloreve të paraburgimit. Ai vuri në dukje se këto pengesa burojnë në shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, nenit 6 të KEDNJ dhe nenit 34/a të Kodit të Procedurës Penale, duke kërkuar respektimin e të drejtave të tij themelore dhe të çdo qytetari për t’u mbrojtur në mënyrë të barabartë dhe me dinjitet në një proces gjyqësor./Periskopi/



