Ekstradohet i dyshuari nga Shqipëria për kultivim të kanabisit – Prokuroria e Gjakovës kërkon paraburgim

Ekstradohet i dyshuari nga Shqipëria për kultivim të kanabisit – Prokuroria e Gjakovës kërkon paraburgim

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit me inicialet N.Sh., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili dyshohet për kultivim të lëndëve narkotike.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se masa e paraburgimit është kërkuar për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit nga neni 272 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi se N.Sh., nga data e pa vërtetuar deri më datë 19.06.2024, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, në bashkëveprim me të pandehurin O.Sh., kanë kultivuar në tri parcela me rreth 1259 bimë, narkotik të llojit kanabis sativa, ndërsa këto parcela janë identifikuar përmes vëzhgimit me dron nga ajri.

I pandehuri ishte në arrati që nga koha kur dyshohet se është kryer vepra penale.

Prokuroria thekson se ai është arrestuar me urdhër arrest ndërkombëtar dhe më pas është ekstraduar nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.

Rasti tani i është dorëzuar Gjykatës Themelore në Gjakovë, e cila pritet të vendosë për kërkesën e paraburgimit./Periskopi/

Shpërndaje në: