Patriotizmi i rrejshëm i VV’së: Kinse kundër Listës Serbe, por vetë ata kishin votuar për regjistrimin e saj në parti politike (Dokument)
Tashmë nuk është e vështirë të kuptohen skenarët e Lëvizjes Vetëvendosje në kohën e zgjedhjeve. Kjo, pasi të njëjtit janë bërë të parashikueshëm me veprimet e njëjta sa herë që vije puna te zgjedhjet, shkruan Periskopi.
Një nga skenarët është edhe thirrja në “patriotizëm për mos-certifikimin e Listës Serbe në KQZ”.
“I thoni ‘jo’ çetnikëve të Listës Serbe, sepse kështu i thoni ‘po’ historisë dhe Republikës sonë. I thoni ‘jo’ Qeverisë Thaçi, sepse kështu i thoni ‘po’ popullit dhe ardhmërisë së fëmijëve tuaj”.
Kjo ishte thirrja që me 15 dhjetor 2013, lideri i Vetëvedosjes, Albin Kurti, ua kishte drejtuar spektrit politik kosovar, vetëm pak kohë pasi ky subjekt politik kishte garuar në zgjedhjet lokale të atij viti dhe kishte fituar në disa komuna me shumicë serbe.
Para Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti e kishte portretizuar këtë subjekt politik si një “formacion çetnik, i përbërë prej çetnikëve”.
“Lista Serbe nuk janë thjesht serbë, ata janë çetnikë”, deklaronte Kurti në vitin 2013.
Por, këto thirrje nuk ishin dëgjuar pikërisht në partinë e tij, në Lëvizjen Vetëvendosje, duke humbur rastin që “Lista Serbe” të ishte një temë e harruar në Kosovë.
Me 12 maj të vitit 2017, përfaqësuesi i partisë së Kurtit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Adnan Rrustemi, kishte ngritur dorën për të avancuar statusin juridik të Listës Serbe në kuadrin e spektrit politik në Kosov. Deri në vitin 2017, Lista Serbe garonte në zgjedhje si nismë qytetare, me status të përkohshëm.
Në mbledhjen e KQZ-së, përfaqësuesi i Kurtit në KQZ, Adnan Rrustemi dhe përfaqësuesi i komunitetit serb, Nenad Rikalo, kishin bashkuar votat që Lista Serbe të bëhej parti politike.
Me ngritjen e dorës për regjistrimin si parti politike të Listës Serbe, Vetëvendosje kishte lënë në “harresë” deklaratat e 3-4 viteve të fundit të asaj kohe kundër këtij subjekti politik, si “formacion çetnikësh” që dirigjohej nga Beogradi.
Periskopi ka siguruar procesverbalin e mbledhjes së KQZ-së.

“Unë jam për, sado që nuk pajtohem me aspektin politik, por juridikisht nuk e kundërshtoj”.
Kështu kishte deklaruar në mbledhjen e KQZ-së më 12 maj 2017, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Adnan Rrustemi, duke i hapur rrugën shndërrimit në parti politike të Listës Serbe.

Por, pavarësisht se Vetëvedosje kishte mundësuar regjistrimin e Listës Serbe në parti politike, duke e bëë pjesë të jetës politike, sa herë që vijnë zgjedhjet në Kosovë, “Lista Serbe” bëhet temë e veçantë e fushatës zgjedhore të partisë së Albin Kurtit.
Ndërsa sot kjo parti kundërshton certifikimin e Listës Serbe dhe deklaron se po mbron procesin zgjedhor, faktet tregojnë të kundërtën: Vetëvendosje ka votuar në KQZ për regjistrimin e partisë politike, Listës Serbe dhe për ndarjen e mjeteve financiare prej qindra-mijëra eurove për këtë subjekt politik, duke i mundësuar pjesëmarrje aktive politike dhe financim nga buxheti i Kosovës.
Për më tepër, audiincizimet e bëra publike, në mes të zyrtarëve të Vetëvendosjes dhe eksponentëve të Listës Serbe, përfshirë me Milan Radojçiqin, të cilin, Kurti si kryeministër nga Kuvendi i Kosovës e quante “superkriminel”, dëshmjnë koordinimin në prapaskenë, pavarësisht retorikës publike të ashpër të Kurtit dhe Vetëvendosjes.
Ky kontrast mes fjalëve dhe veprimeve shfaqet qartë: një parti që dikur votonte pro regjistrimit dhe financimit të Listës Serbe, sot pretendon se po e ndalon atë për ruajtje të rendit kushtetues të Kosovës.
Ambasada amerikane: Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe janë përçarëse
“Manovrime politike”: Moscertifikimi i Listës Serbe, vjen reagimi i ambasadës gjermane



