Dushi: Vendimi i Supremes është fitore për shtetin ligjor – u ndalua skema e VV-së për qendra votimi në kafene e salla dasmash

Dushi: Vendimi i Supremes është fitore për shtetin ligjor – u ndalua skema e VV-së për qendra votimi në kafene e salla dasmash

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Florian Dushi, e ka quajtur “fitore të madhe për shtetin ligjor” vendimin e Gjykatës Supreme, e cila pranoi ankesën e LDK-së dhe rrëzoi vendimin e KQZ-së që do të mundësonte hapjen e kafeterive, depove dhe sallave të dasmave si qendra të reja të votimit për diasporën.

Dushi thotë se vendimi i Supremes që refuzoi ankesën e Vetëvendosjes, ka ndalur “një precedent të rrezikshëm” që, sipas tij, do të devijonte procesin zgjedhor nga ligji.

Sipas tij, Qeveria Kurti ka tentuar t’i imponojë KQZ-së një praktikë të jashtëligjshme, duke krijuar forma të reja votimi pa bazë ligjore dhe jashtë standardeve të sigurisë.

“Vendimi për pranimin e ankesës sonë ndaj vendimit të KQZ-së – që do t’i shndërronte kafeteritë, depot dhe sallat e dasmave në qendra votimi – së bashku me refuzimin e ankesës së Vetëvendosjes nga Gjykata Supreme, është një fitore e madhe për shtetin ligjor dhe kushtetutshmërinë në Kosovë. Në ankesën tonë theksuam qartë se ky ishte një precedent i rrezikshëm, një devijim i hapur nga Ligji për Zgjedhjet dhe nga parimi i legalitetit.

KQZ-ja, si institucion kushtetues i pavarur, nuk mund të detyrohet të zbatojë skema politike që krijojnë vende dhe forma të reja votimi, jashtë çdo baze ligjore dhe jashtë çdo standardi të sigurisë e transparencës zgjedhore. Regjimi i Kurtit provoi t’i imponojë KQZ-së një praktikë të jashtëligjshme, që dëmton integritetin e zgjedhjeve dhe rrezikon besimin e qytetarëve në procesin demokratik. Ky tentim u ndalua”.

Sipas Dushit, ky është një mesazh i fortë se zgjedhjet në dhe jashtë Kosovës duhet të mbahen vetëm sipas ligjit.

“Dhe sot, vendimi i institucioneve gjyqësore riafirmon qartë: shtetasit e Kosovës jashtë vendit votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë në zgjedhje, ndërsa, zgjedhjet në Kosovë dhe jashtë Kosovës mbahen sipas ligjit dhe jo sipas nevojave të pushtetit”./Periskopi/

Shpërndaje në: