Aeroplani ushtarak gjerman nuk mund të aterojë në Prishtinë, flasin nga ASHNA

Aeroplani ushtarak gjerman nuk mund të aterojë në Prishtinë, flasin nga ASHNA

Një fluturake ushtarake gjermane nuk po arrin të aterrojë në Aeroportin e Prishtinës, raporton Periskopi.

Krejt kjo për shkak të kushteve atmosferike që po mbizotëron sot, e që kjo fluturake nuk është e certifikuar që në kushte të tilla ta bëjë veprimin.

Lajmin e ka konfirmuar për Periskopin Zëdhënësi i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Driton Ujkani, i cili konfirmoi se të gjitha fluturimet e tjera po bëhen me rregull, dhe se nuk ka të bëjë kjo me aeroportin, por me rregullat e personelit ushtarak gjerman.

“Në lidhje me pamundësinë e aterrimit të fluturakes të cilës ju i referoheni në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ju informojmë se ANP “Adem Jashari është i certifikuar dhe operon në përputhje me standardin ICAO Category III B (CAT III B) për qasje dhe aterrim në kushte të ulëta të dukshmërisë.

Ky standard mundëson procedura të qasjes dhe aterrimit me dukshmëri horizontale deri në 50 metrafalë sistemit të avancuar të ndriçimit të pistës dhe pajisjeve të navigimit tokësor (ILS CAT III B), në përputhje me kërkesat e Autoritetit të Aviacionit Civil dhe organizmave ndërkombëtarë.

Megjithatë, për të kryer aterrim në këto kushte specifike, është e domosdoshme që edhe fluturakja ashtu edhe ekuipazhi i saj të jenë të certifikuar për operime në CAT III B.

Në rastin konkret, fluturakja në fjalë nuk ka qenë e certifikuar për operime në CAT III B, dhe për pasojë nuk ka përmbushur kërkesat teknike për të realizuar aterrim në kushte të dukshmërisë së ulët, ndonëse aeroporti i Prishtinës e ka pasur kapacitetin teknik për ta mundësuar atë. Fluturakës në fjalë sipas kërkesave të ekupiazhit të saj, i janë dashur minimum 550 metra dukshmëri për aterrim, kushte të cilat aktualisht nuk mbizotrojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Prandaj, pamundësia për aterrim nuk ka qenë si pasojë e kufizimeve të aeroportit, por për shkak të mungesës së certifikimit të nevojshëm nga ana e operatorit ajror për procedura CAT III B.

Përkundër kësaj, për informimin tuaj dhe të opinionit publik, të gjitha fluturimet tjera janë duke u zhvilluar normalisht dhe pa probleme”, ka thënë Ujkani.

Shpërndaje në: